Kreu i AAK’së, Ramush Haradinaj i ka sqaruar Aleksander Vulinit se nuk e mbështet Car Lazarin, po vetëm se ka kërkuar ndërtimin e lapidarëve për shqiptarët që ranë në Betejën e Kosovës.
Haradinaj ka siguruar serbët se nuk po provon t’ua ndryshojë historinë, pasi thotë se shqiptarët kanë histori më të vjetër se ata dhe gjithë popujt e Ballkanit.
Reagimi i plotë i Haradinajt në facebook:
Pas propozimit tim të djeshëm që institucionet e Republikës së Kosovës ta ngrisin një mëmorial për shqiptarët e vrarë në Betejën e Kosovës, ka pasur disa reagime, sa emocionale aq diletanteske, prej asaj se unë i jam vënë në mbështetje “Car Llazarit” e deri te ajo se po provoj ta ndryshoj historinë e serbëve!
U përgjigjem të gjithë këtyre zërave, se unë nuk po merrem as me lavdinë e as me historinë e të tjerëve. Po kërkoj një lapidar ose memorial, ku do të kujtoheshin të gjithë ata shqiptarë, e që nuk janë pak, që ranë në Betejën e Kosovës, sepse edhe historia edhe lavdia u përket atyre, dhe mitet nuk mund t’i ndryshojnë faktet historike.
Sa u përket zërave se unë po provoj ta ndryshojë historinë serbe, i siguroj ata se historia shqiptare, është shumë më e vjetër se krejt historitë e Ballkanit! Kanë qenë vet historianët serbë që e kanë falsifikuar historinë e tyre, por kjo është punë e tyre dhe jo imja.
Historianët serbë e dijnë mirë se në Betejën e Kosovës kanë marrë pjesë ushtritë e princave shqiptarë dhe është mirë që për këtë t’i mësojnë edhe politikanët e padijshëm të tyre. /GazetaExpress/.