Reagon Dedaj pasi iu ngrit aktakuzë: Keqpërdorimi i pushtetit për të përndjekur kundërshtarët politik është krim

E publikuar: 24/01/2024 22:44
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Politikani dhe ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj ka reaguar pasi Prokuroria Themelore në Prishtinë konfirmoi se ndaj tij është ngritur aktakuzë për kanosje.

Dedaj ka shkruar se “keqpërdorimi i pushtetit për të përndjekur kundërshtarët politik, është krim”.

“Poshtë shpifjet, linçimet, diskriminimi, shantazhimi dhe përndjekjet politike stalinisto bolshevike në Kosovë, mbi baza politike, ideoligjike, gjinore, rajonale, partiake, etnike dhe fetare!”, ka shkruar në Facebook ish-ambasadori.

Se është ngritur aktakuzë për Dedajn, sot për lajmi.net e konfirmuan nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.

“Referuar pyetjeve tuaja, ju njoftojmë se më 20.10.2023, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë kundër personit me inicialet Gj.D., në drejtim të veprës penale “Kanosja”, nga neni 181 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Mësohet se kjo aktakuzë është ngritur për shkak të gjuhës që Dedaj kishte përdorur ndaj presidentes Vjosa Osmani në një emision televiziv.

Dedaj gjatë një paraqitje televizive kishte thënë se ndihet i rrezikuar nga siç e ka quajtur ai “Klani i Osmanit”, duke shtuar se ai dhe familja e tij që vijnë nga Malësia e Gjakovës, veprojnë sipas Kanunit të Lekë Dukagjinit.

Këtë deklaratë Dedaj e kishte bërë pasi ishte shkarkuar nga pozita e ambasadorit të Kosovës në Maqedoni të Veriut.

“Unë jam i ligjit, mirëpo na jemi shqiptarë. Nuk mundesh dikë që ja ki inati me e vra. Unë jam i rrezikum, nga Klani i Osmanit, i Vjosës dhe bashkëshorti i saj, nga njerëzit e saj dhe i listës Guxo. Nuk di që duhet me pasë kërcënim tjetër kur ta rrezikon jetën, të len të paftyrë, të hejk prej listës së pagave… Përveç ligjit të unë dhe familja ime te Malësia e Gjakovës vepron edhe kanuni i Lekë Dukagjinit. Nëse më shkel dikush, më vret dikush, ka mu vra edhe ai. Edhe ai ka me pasë pasoja. Presionin që janë kah ma bajnë”, kishte thënë Dedaj në T7 në janar të vitit 2022.

Për këto deklarata të Dedajt, presidentja Vjosa Osmani e lishte denoncuar ish-ambasadorin tek organet e rendit.