Kompania kabllore ‘Artmotion’ pronë e Shkelqim Devollit në mënyrë të kundërligjshme ka blerë të drejtat televizive për transmetimin e Ligës së Kampionëve dhe Europa Ligës brenda territorit të Republikës së Kosovës nga Radiotelevizioni i Serbisë dhe Telekomi serb. Gazeta Express ka siguruar edhe dokumentet që dëshmojnë se Artmotion i bleu të drejtat nga RTS dhe Telekomi i Serbisë. Për këtë rast ka reaguar edhe ministri i Kulturës dhe Sportit, Kujtim Gashi.
“Është e papranueshme që pas aq shumë mundimeve, vuajtjeve e sakrificave për të ndërkombëtarizuar sportin e Kosovës, e veçanërisht futbollin, sot të ketë tendenca që të vihet në pikëpyetje anëtarësimi ynë në UEFA e FIFA, nga pretendimet për të transmetuar në Kosovë Ligën e Kampioneve të UEFA-së, përmes Radio Televizionit të Serbisë, ka shkruar Gashi në Facebook.
Ai tutje ka treguar se Kosova është e barabartë në UEFA dhe FIFA dhe për këtë më së shumti jemi borxhli ndaj Legjendës së Sportit tonë, Fadil Vokrrit.
“Është fyerje edhe ndaj tij dhe gjithë atyre që kanë dhënë e sakrifikuar aq shumë për të përjetuar emocionet si ato që kishim në ndeshjen premiere Kosovë – Ishujt Faroe. Nëse lejohet një hap i tillë, esencialisht mund të kontestojë barazinë tonë me shtetet e tjera në UEFA dhe FIFA”.
Ministri Gashi ka thënë se Kosova është shtet i pavarur e sovran dhe Serbia nuk mund të ketë kurrë me asnjë kompetencë mbi Kosovën, as për sport e as për asnjë gjë tjetër.
“Si Ministër i Sportit, pres që të gjitha institucionet përgjegjëse të kryjnë detyrat e tyre për të garantuar pavaresinë e sportit të Kosovës, qoftë në fushat e blerta apo në ekranet tona televizive. Ashtu siç nuk mundet më Serbia të organizojë ndeshje futbolli në territorin e Kosovës, nuk mundet as të marrë të drejta për transmetime televizive në Kosovë, sepse ndryshe ky do të ishte cenim i integritetit territorial të shtetit tonë. KG”.
Gazeta Express ka siguruar dokumentacionet që e dëshmojnë se të drejtat për transmetimin e Ligës së Kampionëve në territorin e Kosovës i kishte fituar Kujtesa, mirëpo operatori tjetër i Kosovës, Artmotion, nuk ka zgjedhur mjete. Ata janë bërë pjesë e RTS’it dhe Telekomit të Serbisë, për t’i transmetuar ndeshjet në Kosovë në gjuhën serbe.
























