Në kohën kur vendin tonë e kanë përfshirë zjarret, në disa zona të caktuara, apel për kujdes të shtuar ka bërë edhe Presidentja e vendit, Vjosa Osmani.
Osmani përmend temperaturat e larta që po ndikojnë në përhapjen e zjarreve, por thekson se djegia e hamulloreve po konsiderohet si shkaktarët kryesor të fillimit të zjarreve.
“Djegia e hamulloreve konsiderohet ndër shkaktarët kryesorë të zjarreve, ndaj qytetarët duhet të përmbahen nga veprime të tilla, të cilat shkaktojnë rrezik të përgjithshëm”, shkruan Presidentja në Facebook.
Tutje Osmani thotë se janë mobilizuar të gjitha kapacitet shtetërore si, zjarrfikësit, pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, pjesëtarët e Policisë së Kosovës, por gjithmonë duke u mbështetur edhe nga KFOR-i.
Ajo bën apel te qytetarët të kujdesen për jetën e tyre dhe të njerëzve përreth.
Potimi i plotë:
Të nderuar qytetarë,
Në kohën kur temperaturat ekstreme kanë përfshirë vendin tonë, rreziku nga zjarret është rritur tejmase. Prej disa ditësh në disa rajone të Kosovës situata është rënduar nga zjarret dhe ky rrezik ende nuk ka kaluar.
Institucionet e vendit me kapacitet të plotë po përpiqen për zvogëlimin e pasojave nga zjarret, por kjo përpjekje domosdoshmërisht kërkon edhe mbështetjen e qytetarëve. Zjarrfikësit, pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, pjesëtarët e Policisë së Kosovës mbështetur edhe nga KFOR-i, po bëjnë të pamundurën, por të gjithë kemi përgjegjësinë që ta rrisim kujdesin për ta ulur rrezikun nga shtrirja e zjarreve.
Djegia e hamulloreve konsiderohet ndër shkaktarët kryesorë të zjarreve, ndaj qytetarët duhet të përmbahen nga veprime të tilla, të cilat shkaktojnë rrezik të përgjithshëm.
Kosova është shtëpia jonë, ndaj të gjithë duhet të mobilizohemi ta ruajmë mjedisin dhe t’i ruajmë jetët e njerëzve tanë.
















