Nëse je në Prishtinë dhe zonën tuaj e mbulon stacioni policor i veriut, ndihma e Policisë së Kosovës mund të vonohet deri 20 minuta. Këtë gjetja e ka nxjerr në pah një inspektim i Inspektoratit Policor të Kosovës që ka kryer në 41 stacione të Policisë për të parë nga afër kohën e reagimit ndaj thirrjeve të qytetarëve. Më së keqi është stacioni i veriut në Prishtinë nga të gjitha stacionet që janë inspektuar, shkruan Infosot.
Po ashtu nga të gjeturat e inspektimin, rezulton se disa stacione policore ende mbajnë logjet e thirrjeve të qytetarëve në mënyrë të paplotë dhe me dorë, duke vështirësuar reagimin dhe gjurmimin e ngjarjeve në kohë reale.
Sipas të dhënave zyrtare, koha mesatare e reagimit policor në nivel vendi mbetet pothuajse e pandryshuar krahasuar me vitin 2022, përkatësisht 13.7 minuta. Megjithatë, dallimet rajonale janë të theksuara.
Në zonat rurale, koha mesatare e përgjithshme e reagimit është 19.5 minuta, ku Gjakova del me kohën më të lartë 21.9 minuta, përkundër pritshmërive më të ulëta për rajone të tilla.

Ndër stacionet me reagim efikas janë edhe Hani i Elezit (4.5 minuta), Dragashi (6 minuta) dhe Ferizaj (8.49 minuta), i cili printe në raportin e vitit 2022 dhe qëndron lart edhe sivjet.
Raporti përfshin mbi 5 mijë mostra të thirrjeve për muajin janar 2025, me fokus në kohën nga momenti i pranimit të informacionit, caktimit të detyrës, nisjes së njësisë policore dhe arritjes në vendngjarje.
Stacionet e Prishtinës Veriore, Istogut, Skenderajt dhe Novo Bërdës, ku koha e ndarjes së detyrave për patrullat shkon deri në 7.6 minuta, shumë mbi mesataren e rekomanduar.
Zvarritja e ndarjes së detyrës dhe mungesa e automjeteve në dispozicion, përmenden si arsyet kryesore për vonesat në dalje në vendin e ngjarjes.
Në disa stacione si Rahovec, Lipjan dhe Pejë, mungesa e kontrollit të brendshëm dhe mosfunksionimi i rregullt i radio-komunikimit janë vlerësuar si faktorë që ndikojnë në uljen e efektivitetit të reagimit.
Po ashtu, IPK vëren se logjet ditore, dokumenti bazik për evidencimin e ngjarjeve, në disa stacione mbahen me dorë, me mungesë të informatave të plota apo të përditësuara, gjë që vështirëson analizën retrospektive të rasteve.
Përkundër disa mangësive, IPK vlerëson se sistemet e komunikimit dhe shpërndarjes së informatave ndërmjet Qendrave Operative Komunikuese Rajonale (QOKR) dhe stacioneve policore funksionojnë mirë në shumicën e rasteve. Thirrjet përmes numrave emergjent 192 dhe 112 trajtohen në kohë dhe kalohen në mënyrë të sinkronizuar tek patrullat në terren. Gjithashtu, aplikacioni “Lajmëro Policinë” ka nisur të përdoret më shumë, duke lehtësuar pranimin elektronik të informatave nga qytetarët.
Inspektorati ka ofruar një listë rekomandimesh të drejtpërdrejta duke kërkuar kontroll më i rreptë menaxherial në zyrat e komunikimit, veçanërisht në stacionet e Gjakovës, Junikut, Pejës, Rahovecit, Prizrenit dhe Prishtinës Jugore.
Organizim i trajnimeve të strukturuara për mbajtjen e logut operacional, për të unifikuar metodologjinë në të gjitha stacionet.
Hartimi i një manuali standard operativ për menaxhimin e informatave dhe ndarjen e detyrave, që do të zbatohej njëtrajtësisht në të gjitha DRP-të.
Përmirësimi i raportimeve në fund të orarit dhe mbikëqyrja më e rregullt nga eprorët, sidomos në stacionin e Vushtrrisë.
Analizë e thelluar për kohën e reagimit, sidomos në Lipjan, Prizren dhe Pejë, ku identifikimi i faktorëve pengues do të mundësonte një ndërhyrje të drejtpërdrejtë.
Raporti po ashtu thekson se, ndryshe nga vitet e kaluara, Mitrovica Veriore ka shënuar përmirësim në kohën e reagimit, falë mobilizimit të shtuar për shkak të ndjeshmërisë së sigurisë në atë pjesë të vendit. Me gjithë sfidat logjistike dhe mungesën e personelit në disa periudha, Policia ka arritur të reagojë në mënyrë më efikase.
Edhe pse në pamje të parë koha mesatare e reagimit në nivel vendi duket stabile, raporti tregon qartë se ka dallime serioze në performancë mes rajoneve dhe stacioneve policore, si dhe një nevojë për ndërhyrje sistematike në logjistikë, trajnime dhe menaxhim të brendshëm.
Inspektorati Policor, përmes këtij raporti, i ka dhënë Policisë së Kosovës një udhërrëfyes të qartë për përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve, ndërkohë që ka paralajmëruar edhe monitorim të vazhdueshëm në muajt në vijim./Infosot/

















