Lumir Abdixhiku
Lumir Abdixhiku, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka reaguar pas anulimit të takimit të përbashkët në mes dy qeverive, Kosovës dhe Shqipërisë.
Abdixhiku këtë e ka quajtur lajm të keq për të gjithë shqiptarët.
“Lajmi për anulimin e mbledhjes së përbashkët të dy qeverive është lajm i keq për shqiptarët, në Kosovë, në Shqipëri, në Luginë, Maqedoni e Mal të Zi” ka shkruar fillimisht Abdixhiku në Facebook.
Ai po ashtu ka thënë se Kosova po e vazhdon rrugën e izolimit dhe të vetmisë.
“Kosova fatkeqësisht vazhdon të rrugëtoj drejt izolimit e vetmisë. Këtë herë, si asnjëherë, mbetëm dhe pa Shqipërinë. Po mbesim dhe do të mbesim pa secilin aleat që qëndronte me ne në çdo etapë të vështirë. Kjo s’është Kosova që e kishim menduar ndonjëherë”, ka vazhduar Abdixhiku.
“Rrugëtimi i Kurtit, përplasës me perëndimin, rrezikon vet shtetësinë e Republikës. Në vend se të sillet si një Kryeministër i përgjegjshëm, një që ruan partneritetet e avancon kauzat kombëtare drejt perëndimit, ai sjellë krizë dhe izolim. Aventura e tij politike nuk mund të jetë përfaqësimi ynë popullor”, ka thënë kryetari i LDK-së.
Në fund, Abdixhiku ka deklaruar se ”Kosovës i duhen miqtë dhe partnerët strategjikë”.