Reagime të shumta nga LDK ka shkaktuar deklarata e Ministri të Financave, Hekuran Murati, i cili iu kundërpërgjigj kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Murati tha se nuk janë të vërtetat statistikat që po paraqiten nga LDK, teksa shtoi se me to po tentohet që ta përsëritet një rrenë që të fillojë të bëhet e besueshme.
“Janë çu i madh e i vogël në LDK tash e disa ditë duke dredhë numra e grafikona, vetëm e vetëm që t’a bindin ndokë se rrenat e tyre janë të vërteta. Në fakt, kjo çfarë po bën LDK-ja është vetë definicioni i propagandës – që një rrenë duhet të përsëritet mjaftueshëm derisa të fillojë të bëhet e besueshme. Për investimet kapitale, të vërtetën e thotë raporti zyrtar financiar, i cili edhe auditohet – investimet kapitale buxhetore për vitin 2023 janë 561 milionë euro.”
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami e ka quajtur Muratin, ministër të dështimeve kapitale. Ajo tha se se Murati ka shënuar rekord të dështimeve dhe që si i tillë po mundohet që ta mbulojë krimin e korrupsionin me tenderët njëburimor dhe dështimet në investime kapitale.
Ajo i përmendi edhe disa nga pikat ku sipas saj ka dështuar Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti.
“Ministri i dështimeve kapitale po e arsyeton korrupsionin qeveritar Qeverinë e dështimeve, të korrupsionit, të tenderëve njëburimor dhe të tenderëve sekret e ka kapur paniku se po i dalin për çdo ditë dështimet në shesh. Më së shumti kanë nisur të brengosën ministrat që kanë shënuar rekorde dështimi. Njëri prej tyre është Hekuran Murati, i cili po tenton të mbulojë krimin e korrupsionin me tenderët njëburimor dhe dështimet në investime kapitale. Në vend të 160 çerdheve e keni ndërtuar një urë. Do të mbaheni mend si Qeveria e “Urës së Staradranit”. Keni premtuar ulje të çmimit të energjisë elektrike, e do të mbaheni mend që keni ngritur çmimin për ta ndihmuar Martin Berishajn. Hajde përkraheni Komisionin Hetimor për tenderët njëburimor dhe ta shohin të gjithë krimin e korrupsionin që ka kapluar këtë Qeveri.Jeni të paaftë, të korruptuar dhe s’mund të fshiheni prapa askujt sepse tanimë të gjithë ju njohin. Dhe po e dimë që po të pengojmë por s’do të ndalemi – Propaganda nuk kalon!” – ka shkruar ajo.
Ndërsa deputeti i LDK-së, Besian Mustafa i ka shpalosur “kontratat sekrete”, ministrit të Financave Hekuran Murati.
Ai tha se ndër të tjera, Murati me kontrata sekrete i ka shpenzuar 428.192 euro për qera të veturave, 441.703 euro për sigurimin fizik të objekteve, si dhe 170,754 euro për konsulenta, eksperta dhe programera.
“Murati Ministri i Mashtrimit mashtron edhe në mesnatë! Hekuran, pasi e paske përdorë fjalën “rren”, pse po rren ti? Qe t’i shpalosim hajnitë e tua me kontrata sekrete:- Me kontrata sekrete i ke shpenzu 428.192 euro për qera të veturave! – Me kontrata sekrete i ke shpenzu 441.703 euro për sigurimin fizik të objekteve! – Me kontrata sekrete i ke shpenzu 170,754 euro për konsulenta, eksperta dhe programera!” – ka shkruar ai.
Ndërsa Doarsa Kica Xhelili, deputete e LDK-së e pyeti Muratin lidhur me pronat e konfiskuara të Milan Radojçiqit, për mosvotimin e Komisionit hetimor për kontratat njëburimore e të tjera.
Ajo tutje tha se janë qesharake tentativat e VV-së për shpëlarje të propagandës.
“Gjuha shkon ku dhemb dhëmbi, Ministër Murati. E gjuha jote se ç’është zënë ngërq te LDK-ja.
Por meqë paske përmbledhur verzion të ri të propagandës 2.0 tani që 1.0-shin ua çmontuam, a po na përgjigjesh çka ju desh të flisni me Radojçiçin, pronat e të cilit sot lavdëroheni që janë konfiskuar?
Pastaj, përgjigju çka ju desh t’i suspendoni policët, që kërkuan t’i konfiskohet telefoni njeriut tuaj në KEK?
Pastaj përgjigju pse gënjen kur thua që nuk ta votuam Byronë?
E pastaj përgjigju PSE s’po e votoni komisionin hetimor për kontratat njëburimore nëse s’keni çka të fshihni?
E rrugës, përgjigju edhe si u bë që brenda javës t’i nënshkruani edhe 3 kontrata shtesë sekret në vlerë 4 milionë euro PASI nuk pranuat të hetoheni për 209 milionshin paraprak?” – ka shkruar ajo.
Ndryshe, i pari i LDK-së, Lumir Abdixhiku sot deklaroi se çdo postim a deklarim i qeverisë është i mbushur me propagandë.