Shtyrja e zgjedhjeve nga ana e faktorit ndërkombëtar dhe dështimi i bisedimeve për ndryshimet në media, konfirmojnë se zgjidhja e problemeve në Maqedoni janë më të rëndësishme se mbajtja e zgjedhjeve.
Rilindja Demokratike Kombëtare përshëndet deklaratën e dy ambasadorëve për shtyrje të zgjedhjeve dhe vulos vendosmërinë për fuqizimin e institucioneve dhe sundimin e ligjit në vend sepse këto janë mungesa evidente për mbajtje të zgjedhjeve fer të lira dhe demokratike.
“Zgjidhja e problemeve para zgjedhjeve është hapi më i sigurt për funksionimin e shtetit duke i dhënë fund manipulimeve dhe keqpërdorimeve nga ana e pushtetit aktual. RDK rithekson qëndrimin e saj se pa zgjidhje nuk ka zgjedhje dhe kjo u pa dhe nga dështimi i bisedimeve për ndryshimin e ligjit për media pasi që palët që janë në negociata nuk arrijnë të gjejnë gjuhë të përbashkët për media të lira dhe të pavarura”, thuhet njoftimin e RDK-së.
“RDK u bën thirrje aktorëve politikë në vend të mos humbin kohë dhe të mos shkelin të gjitha afatet kohore pasi që kriza politike në vend thellohet dhe e gjitha në dëm të popullit. RDK mban qëndrimin se faktori ndërkombëtar duhet në plan të parë të ketë zgjidhjen e problemeve, para datës së zgjedhjeve, gjë për të cilën e kemi kërkuar gjatë gjithë kohës”, thuhet më tej aty.