Raul: Messi, kundërshtari im më i mirë

E publikuar: 01/05/2015 13:54
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Leo Messi është lojtari më i mirë me të cilin jam përballur. E thotë këtë ish kapiteni legjendar i Los Blancos, Raul Gonzalez, i cili nuk e ka aspak problem të flasë me elozhe për lojtarin, ndoshta më të urryer për tifozerinë madrilene.

“Kam patur fatin të luaj me Zidane, Ronaldon, Figon, Cristianon, por Messi është shumë ndryshe. Ai bën të pamundurën. Gjithçka e bën të duket më lehtë. Kur e shikon në lojë duket sikur ai po luan në rrugë me shokët. Eshtë i pabesueshëm”.

Raul beson dhe uron që Reali i Madridit këtë sezon ta mbyllë me trofe.

“Eshtë në pozicion të mirë. Në Champions do të ketë ndeshje të vështirë me Juventusin, por unë shpresoj ta shikoj në finalen e Berlinit. Përsa i përket kampionatit, situata është më e komplikuar. Mbeten edhe 4 ndeshje dhe gjithçka është e mundur”.

Ish madrileni e mbylli karrierën si lojtar me Realin për të vazhduar më pas në Katar e në New York, ku ndihet i lumtur me jetën alla amerikane.

“Edhe kur luaja në Madrid, gjithmonë më ka tërhequr ideja që një ditë të luaja në Shtetet e Bashkuara. Po kështu edhe bashkëshortes sime. New Yorku është një qytet i bukur dhe tërheqës. Kur isha në Katar, trajneri i Cosmos, Savarese më bindi me projektin, pa harruar që këtu kanë luajtur legjenda si Pele apo Beckenbauer”.