Rasti Sekiraqa: Prokuroria fton si dëshmitar shokun më të afërt të policit Riza

E publikuar: 07/12/2023 14:23
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjatë ditës së sotme në Gjykatën Themelore të Prishtinës është mbajtur seanca e radhës ndaj Enver Sekiraqës.
Sekiraça po akuzohet për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës.

Në fjalën e tij prokurori special Shpetim Peci, ka njoftuar gjykatën se përmes një parashtrese do të propozojë që në cilësi të dëshmitarit të dëgjohet Arben Selmani, si njëri ndër shokët kryesor të të ndjerit Riza.

Ai tha se Prokuroria ka arritur që të sigurojë adresën dhe kontaktin e Selmanit, e që dëgjimi i tij mund të bëhet edhe përmes video-linkut, raporton BetimipërDrejtësi.

Sipas tij, dëshmitari Selmani mund të tregojë lidhjet që ka pasur me të ndjerin Triumf Riza, pasi që ka qenë njëri ndër shokët kryesor të tij dhe mund të shpjegojë faktet që i ka mësuar nga i ndjeri për problemet e mëhershme që i ndjeri i ka pasur me të pandehurin Enver Sekiraqa, e që janë derivat i ditës kritike.

Lidhur me këtë, i akuzuari Enver Sekiraqa ka thënë se prokurori po e luan rolin e gjykatësit.

“Unë sa mujta me dëgju dhe me kuptu prokurorin, ky u thirr se ka drejtë trupi gjykues, ky po don me rujt rolin e gjykatësit, ju me pas parasysh këtë punë dhe me pas pa të nevojshme e kishit thirrë vetë, s’e kishit lanë prokurorin”, ka thënë Sekiraqa.

Mirëpo seanca e sotme është ndërprërë për shkak të mungesës së mbrojtëses së Sekiraqës, avokates Kosovare Kelmendi.

Avokatja Kelmendi përmes një parashtrese, sot para fillimit të këtij shqyrtimi gjyqësor ka njoftuar gjykatën se nuk është në gjendje të mirë shëndetësore.