Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, pas dënimit të “Grupit Kumanova” nga një Gjykatë në Shkup, ka reaguar duke kërkuar që të vihet drejtësia në vend, raporton infosot.
“Kemi përcjellë me kujdes dhe vëmendje të shtuar procesin pas ngjarjeve tragjike në Kumanovë, në maj të vitit 2015 dhe dënimet e shqiptuara nga Gjykata në Shkup. Drejtësia duhet të vihet në vend, duke nisur që nga zbardhja e plotë e ngjarjes me të gjitha dimensionet e saj. Një hetim ndërkombëtar do të ndihmonte zbardhjen e plotë të së vërtetës, për të cilën mundohemi të gjithë”, thuhet në deklaratën e Kryeministrit.
Me këtë rast, ministri i Jashtëm i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, ka thirr në konsulta të brendshme ambasadorin e Kosovës në Shkup, Ylber Hysa, ndërkohë që për të njëjtën çështje e ka thirrur për sqarim ambasadorin e Republikës së Maqedonisë, në Kosovë.
















