Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, trupi gjykues në çështjen gjyqësore ndaj Sabit Januzit, Ismet Bahtijarit dhe Haxhi Shalës, ka caktuar afatin për parashtrimin e materialeve provuese relevante që mund të ndihmojnë në përcaktimin nëse ekziston bazë faktike e mjaftueshme që vërtetojnë veprat penale dhe pjesëmarrjen e të akuzuarve në ato vepra.
Zëdhënësja e DhSK-së, Angela Grip gjatë konferencës javore të enjten, ka thënë se Prokuroria dhe mbrojtja janë urdhëruar që këtë material ta parashtrojnë deri më 24 janar 2025, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Rregullorja e procedurës dhe e provave përcakton se trupi gjykues mund të miratojë një marrëveshje për pranimin e fajësisë në qoftë se bindet se ekziston bazë faktike e mjaftueshme për vërtetimin e veprës penale dhe pjesëmarrjen e të akuzuarit; se i akuzuari kupton plotësisht marrëveshjen për pranimin e fajësisë dhe pasojat e saj, dhe se është pajtuar me vullnet të lirë me këtë marrëveshje dhe pranon faktet në lidhje me akuzat që përfshihen aty”, tha Griep.
Ajo shtoi se versionet e redaktuara publike të dosjeve paraprake të Sabit Januzit dhe Ismet Bahtijarit dolën më 17 dhe 20 janar 2025.
“Më 21 janar, trupi gjykues lëshoi versionin e redaktuar publik të vendimit të 7 tetorit 2024 për të hedhur poshtë një pjesë të kërkesës së mbrojtjes së Bahtijarit për ekzaminim mjekësor të zotit Bahtijari në lidhje me argumente mbrojtëse të mundshme. Sa i takon synimit të mbrojtjes për mbledhjen e provave mjekësore për argumentet e saj, trupi Ggykues rikujtoi se sipas Rregullores së Ndihmës Juridike, mbrojtjes i akordohet një fond për të marrë konsulentë të jashtëm, ku mund të përfshihen ekspertët. Për këtë arsye, është përgjegjësi e mbrojtjes të mbledhë prova që i nevojiten për argumentet e saj, përfshirë prova mjekësore për të mbështetur argumente mbrojtëse të mundshme gjatë gjykimit”, tha ndër tjerash Griep.
Zëdhënësja tregoi se më 21 janar është hedhur poshtë një kërkesë e përbashkët e mbrojtjes në çështjen ndaj ish-krerëve të UÇK-së për leje për të apeluar një vendim të trupit gjykues që ka të bëjë me disa deklarata të dëshmitarëve që janë pranuar vetëm në formë të shkruar.
Si rrjedhojë, ajo tha se mbrojtja nuk kishte kundërshtuar që deklaratat e dëshmitarëve të pranohen në formë të shkruar, por ata nuk ishin të pajtimit që të lejohet shtimi i disa provave në njërën prej deklaratave.
“Sipas mendimit të tyre, provat shtesë do t’i ofronin trupit gjykues përshkrim të vërtetë të dëshmisë së dëshmitarit në fjalë. Trupi gjykues vuri në dukje se ai nuk ka marrë vendim mbi pranueshmërinë e provës së propozuar nga mbrojtja, por konstatoi se përgjigja e mbrojtjes ndaj kërkesës së Prokurorisë nuk është mënyra e përshtatshme për të kërkuar pranimin e provave. Trupi gjykues theksoi se mbrojtja mund të kërkojë pranimin e provës në fjalë sipas Rregullores dhe se trupi gjykues më pas do të vendosë mbi pranueshmërinë e saj”, tha Griep.
Ajo theksoi se në këtë proces gjyqësor, gjatë kësaj jave kanë dëshmuar tre dëshmitarë duke e çuar në 115 numrin e dëshmitarëve të dëgjuar.
Ndërsa, në rastin ndaj Pjetër Shalës, Griep tha se trupi gjykues ka zgjatur afatin për dorëzimin e njoftimit për apel në lidhje me urdhrin për zhdëmtim dhe se ky vendim ka ardhur pas kërkesës së mbrojtjes. E njëjta zgjatje afati u urdhërua që të bëhet edhe për mbrojtësin e viktimave dhe që afati i fundit është deri më 28 janar 2025.
“Trupi gjykues theksoi rëndësinë e aspekteve të trajtuara në Urdhrin për Zhdëmtim dhe pranoi se çdo proces apeli kundër një urdhri për zhdëmtim në këtë çështje gjyqësore do të jetë i pari para Dhomave të Specializuara dhe, rrjedhimisht, mund të shërbejë si precedent i rëndësishëm”, tha Griep.
Ndryshe, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, çdo të enjte, në orën 14:30, përmes platformës online “Zoom” mbajnë informim javor ku ofrojnë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë.