Një foshnjë 10-muajshe është paralizuar pjesërisht, pasi u infektua me poliomielitin në Gaza, thanë zyrtarët e Kombeve të Bashkuara.
Sipas OKB-së, Gaza, tashmë në muajin e saj të 11-të të luftës, nuk ka regjistruar një rast të poliomielitit për 25 vjet, megjithëse poliovirusi i tipit 2 u zbulua në mostrat e mbledhura nga ujërat e zeza të territorit në qershor.
Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh), Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha se është “shumë i shqetësuar” dhe konfirmoi se po bëhen përpjekje për të nxjerrë një program vaksinimi në javët e ardhshme.
10-muajshja, e cila ishte e pavaksinuar, mësohet se është në gjendje stabile pasi ka pasur paralizë në njërën këmbë.
Poliovirusi, më shpesh i përhapur përmes ujërave të zeza dhe ujërave të ndotura, është shumë infektues.
Mund të shkaktojë shpërfytyrim dhe paralizë, dhe është potencialisht fatale. Kryesisht prek fëmijët nën moshën pesë vjeç.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres tha se “qindra mijëra fëmijë në Gaza janë në rrezik”, raporton BBC.
Ai tha se që fushata të jetë e suksesshme, duhet të lehtësohet transporti i vaksinave dhe pajisjeve të nevojshme, si dhe hyrja e ekspertëve të poliomielitit në Gaza.
Karburanti adekuat, fluksi i shtuar i parave, komunikimet e besueshme dhe siguria e garantuar e punonjësve shëndetësorë dhe e njerëzve që arrijnë në objektet shëndetësore ishin gjithashtu të nevojshme, tha ai.
OBSh-ja ka miratuar lëshimin e 1.6 milionë dozave të vaksinës, UNICEF po koordinon dërgimin e tyre së bashku me njësitë e ruajtjes së ftohtë dhe ekipet mjekësore të UNRWA do të administrojnë vaksinat sapo të mbërrijnë në Gaza.
Drejtoresha Ekzekutive e UNICEF-it, Catherine Russel tha se rishfaqja e virusit në brez pas 25 vjetësh është “një tjetër kujtesë kthjelltëse se sa kaotike, e dëshpëruar dhe e rrezikshme është bërë situata”.