Mediat ishin në anën e duhur në rastin e publikimit të xhirimeve nga qendra e paraburgimit e Prizrenit: nuk ka shkelje privatësie. Vetëvendosja ishte në anën e gabuar: të censurës dhe madje, kërcënimit. Dështimi më i madh është i organeve shtetërore: jo vetëm që të dhënat hetimore dolën jashtë, por se njeriu vdiq aty ku siguria garantohet.
Mbulimi i rastit Astrit Dehari, përtej shpërfaqjes së mosbesimit në sistemin gjyqësor, ka nxitur debat rreth besueshmërisë së mediave.
Xhirimi ku shihet Dehari ende i gjallë duke u bartur prej qelisë nga të paraburgosurit tjerë u publikua të enjten nga Klan Kosova dhe Gazeta Express. Një letër që pretendohet se është marrë nga ditari i tij në qendrën e paraburgimit u publikua të premten nga Indeksonline. Pas këtyre publikimeve, mediat sociale u vërshuan me komente kundër gazetarëve dhe etikës së tyre të raportimit saqë Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës u detyrua t’u dalë gazetarëve në mbrojtje.
Dehari, i cili ishte anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje!, vdiq të shtunën më 5 nëntor në rrethana ende të pasqaruara. Prej dy muajsh po mbahej në paraburgim nën dyshimin se kishte sulmuar me armë ndërtesën e Kuvendit të Kosovës më 4 gusht. Deklaratat kundërthenëse të prokurorisë dhe policisë rreth lokacionit ku ndërroi jetë i ndjeri dhe konkludimet e hershme të autoriteteve se bëhej fjalë për vetëvrasje, nxitën dyshime ndaj këtij versioni. Rasti vë në pah mungesën e besimit në institucione publike deri në atë masë sa mjekë të pavarur janë përfshirë gjatë obduksionit dhe është kërkuar hetim i pavarur. Ai dëshmon, përtej perceptimeve, që zinxhiri i përgjegjësisë në drejtësinë penale ka mangësi.
Por mbulimi medial i këtij rasti duhet të shikohet si tërësi dhe jo të kufizohet vetëm në raportimet e orëve të fundit.
Për gjashtë ditë rresht lajmi për vdekjen e Deharit kryesoi ballinat e edicionet e shumicës së mediave kryesisht të ushqyera me informata nga Lëvizja Vetëvendosje!, dhe përfaqësuesi i saj ligjor. VV-ja dhe përfaqësuesi gëzuan hapësirë të konsiderueshme mediale përmes së cilës shprehën dyshimet e tyre dhe akuzat ndaj pushtetit, kërkuan drejtësi, interpretuan në detaje rezultatet preliminare të obduksionit dhe zbuluan prova të hetimeve. Bazuar në hashtagun #DrejtesiPerAstritDeharin, kjo temë ka mbizotëruar në mediat sociale këtyre ditëve. As lajmet për publikimin e Raportit të Progresit të Komisionit Europian, vizita e komisarit europian Johannes Hahn dhe suspendimi i anëtarësimit të Kosovës në Interpol, përkundër interesit të madh publik, nuk ia dolën t’i afrohen vëmendjes që iu kushtua rastit Dehari.
Një pjesë e madhe e gazetarëve janë treguar të kujdesshëm në raportim dhe kanë bashkëndjerë me dhimbjen e familjes. Këtë e shprehnin edhe përmes statuseve në Facebook, ndonëse janë të thirrur të mos marrin anë. Ky ‘kujdes’ u reflektua edhe në faktin se deklaratat në konferencat e shumta të Lëvizjes Vetëvendosje! dhe qëndrimi i saj se Dehari nuk është vetëvrarë, nuk janë sfiduar sa duhet. Në anën tjetër dhe me të drejtë, privatësia e prindërve dhe gruas së Deharit është respektuar. Detaje private nga jeta e tij bashkëshortore, shoqërore dhe studentore nuk janë zbuluar siç ndodh rëndom në raste të tilla.
Kështu, nga e shtuna (dita kritike) e deri të enjten nuk u shpreh pakënaqësi apo mosbesim ndaj mbulimit medial. Ankesat më shumë shkonin në drejtim të Lëvizjes Vetëvendosje! se po përfitonte politikisht duke e shfrytëzuar rastin Dehari, pohime që janë hedhur poshtë prej saj.
Me publikimin e xhirimit dhe letrës që pretendohet të jetë marrë nga ditari, të cilat nuk kontribuan në narrativën e krijuar deri më tash për këtë rast, shpërthyen akuzat ndaj kredibilitetit të mediave.
Lëvizja Vetëvendosje! filloi të kërkojë ruajtje të privatësisë, edhe pse të hënën vetë deputeti Albin Kurti në Emisionin Interaktiv kishte kërkuar publikimin e videove nga qendra e paraburgimit. Anëtari i kësaj lëvizjeje Hysen Durmishi, përmes Facebook-ut, kërcënoi “mediat e Klanit Pronto” se “zvarrë do të nxjerrim e do të ju dërgojmë në burg….” nëse e marrin pushtetin. Ai me shpejtësi e tërhoqi këtë deklaratë kur drejtuesi i lëvizjes Visar Ymeri haptazi nuk e mbështeti. Vetë gazetarët u ndanë në dy tabore nëse publikimet ishin etike ose jo. Njëjtë vepruan edhe disa anëtarë të shoqërisë civile.
Debati në Kosovë rreth besueshmërisë së mediave po zhvillohet paralelisht me një tendencë globale për të fajësuar mediat sa herë që ndodhin ngjarje të papritura politike. Për shembull, mediat janë duke u fajësuar se kontribuuan në zgjedhjen e Donald Trump president të SHBA-së, për rezultatet e Brexit-it ose edhe për numrin e madh të refugjatëve në Gjermani, ku partitë opozitare kanë filluar kampanjë kundër mediave nën Moton “Shtypi që gënjen” (Lying press).
Në rastin Dehari, kredibiliteti i mediave u sulmua, ndër të tjera, nën arsyetimin se publikimi i xhirimit përbën shkelje të privatësisë, pa u theksuar se për privatësi të kujt bëhet fjalë – obligimit për mbrojtjen e dinjitetit të të vdekurit gjatë raportimit dhe ndikimit të mundshëm në hetime.
Në mungesë të ligjit të veçantë për mbrojtjen e privatësisë në Kosovë, në rastin më të mirë duhet të zbatohen standardet e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut e cila në rastin Axel Springer vs Gjermanisë (2012) ka zhvilluar testin e privatësisë që mund të lexohet këtu.
Dhe a pati shkelje të privatësisë?
Rasti Dehari është me interes për publikun. Ai ka qenë i njohur si pjesëtar i partisë së tretë në vend për nga votat dhe i dyshuar për vepër penale, pra nuk ka qenë një qytetar i rëndomtë, i panjohur. Për më tepër, Lëvizja Vetëvendosje! e ka ekspozuar qëllimisht dhe në detaje rastin në media duke lënë pak hapësirë për ruajtje të privatësisë.
Xhirimi zbulon rrethanat e vdekjes në një qendër paraburgimi ku pritet siguri. Aty shihet Dehari ende gjallë si dhe ofrohen detaje rreth reagimit të të burgosurve, gardianëve dhe stafit mjekësor. Për këto janë paraqitur disa versione të ndryshme si nga institucionet, ashtu edhe nga Lëvizja Vetëvendosje!, andaj xhirimi ka kontribuuar që publiku të informohet dhe të shohë reagimet e përgjegjësve në ato momente. Mediat, sidoqoftë, kanë mundur të tregojnë më shumë kujdes duke kufizuar pamjet gjatë bartjes së Deharit, duke mbuluar fytyrat e të gjithë të burgosurve që shihen në xhirim dhe duke paralajmëruar publikun që xhirimi mund t’i shqetësojë.
Në xhirim Deharit nuk i shihet fytyra nga afër, nuk shihen plagë apo gjak, nuk shihet duke u nxjerrë për shembull zvarrë, por bartet me kujdes. Ky aspekt është me rëndësi edhe nga ana etike dhe e obligimit për të trajtuar me dinjitet vdekjet.
Përderisa nuk vërtetohet e kundërta dhe meqë asnjë ekspert i pavarur nuk e ka kontestuar deri më tani xhirimin, ai duhet të merret si i vërtetë. Ndërsa, sa i përket ndikimit që publikimi mund të ketë në hetime, duke marrë parasysh që janë dhënë disa versione rreth asaj që shihet në xhirime dhe janë bërë publike shumica e detajeve, publikimi i xhirimit ka pak mundësi që të dëmtojë ato. Për më tepër, nëse hetimi rezulton në një rast gjyqësor, materiale si kjo me siguri që do të bëheshin publike gjatë seancave gjyqësore.
Kjo që u tha më lart vlen vetëm kur e drejta e privatësisë shqyrtohet në raport me media. Por e njëjta nuk mund të pretendohet kur në pyetje janë institucionet publike, sepse ato janë të obliguara të ruajnë privatësinë e qytetarëve.
Rrjedhja e këtij xhirimi është vazhdimësi e rrjedhjeve që janë bërë më herët, duke përfshirë ato në rastin e ish-kryetarit të Gjykatës së Apelit Salih Mekaj dhe në rastin e përgjimeve ku përfshihet deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës Adem Grabovci. Në këto raste ku publikohen të dhëna nga dosjet penale në faza të hershme edhe mund të ketë shkelje të privatësisë, por përgjegjëse janë institucionet dhe jo gazetarët.
Prandaj, Avokati i Popullit me të drejtë ka kërkuar nga institucionet që të mos zbulohen detaje të tilla. Njëjtë ka vepruar edhe familja Dehari të premten kur ngriti kallëzim penal kundër institucioneve relevante për zbulim të xhirimit, e jo kundër mediave.
Raportimi i rasteve kaq të ndjeshme kërkon objektivitet, rigorizitet në verifikimin e informatave dhe respektim të standardeve etike në mënyrë që të mos i kontribuohet uljes së besimit në media. Njëkohësisht, politikanët dhe qytetarët duhet të marrin parasysh që gazetarët kanë obligim të informojnë publikun dhe të mbajnë përgjegjëse institucionet, edhe kur ato lajme mund të shkaktojnë fyerje e shqetësime në publik, sepse e kundërta do të ishte vetëcensurë.
Pra duhet thënë qartë se mediat ishin në anën e duhur në rastin e publikimit të xhirimeve nga qendra e paraburgimit e Prizrenit. Vetëvendosja ishte ditët e fundit në anën e gabuar: të censurës dhe madje, kërcënimit. Dështimi më i madh është i organeve shtetërore: jo vetëm që të dhënat hetimore dolën jashtë, por se njeriu vdiq aty ku siguria garantohet.
Në interes pakrahasimisht më të madh për publikun është që rasti Dehari të ndriçohet. Në rrugë e sipër, ai ka për të treguar shumë më tepër për shtetin e Kosovës, VV-në dhe mediat./sbunker.net/