Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq ka treguar se ka mospajtime me kryeministrin Albin Kurti për mënyrën se si duhet shkuar drejt zgjedhjeve të reja në veri të vendit.
Rashiq tregoi në Frontal në T7 se preferon mënyrën përmes dorëheqjeve të kryetarëve aktualë, ndërkaq Kurti dëshiron peticion. Ai tha i vlerëson përpjekjet e Kurtit “nga ana ligjore”, por tha se në anën tjetër, vetë është “më shumë lokalisht” dhe tha se sheh “nga këndi i bashkëqytetarëve tanë në veri”.
Ministri serb në Qeverinë e Kosovës tha se flet dhe takohet me Kurtin, duke treguar se si reagon kryeministri në disa raste.
“Ne flasim zakonisht, qoftë me mesazhe, qoftë kështu, takohemi, dhe normale që kam mirëkuptim me kryeministrin”, tha Rashiq.
“Por sikur që e ka teknika e komunikimit. Kur pajtohet, tregon. Kur nuk pajtohet, tregon po ashtu. Por e ka edhe atë pjesën kur nuk ka asnjë përgjigje. Nuk është as po as jo. Unë e shikoj nga këndi pozitiv, them: nuk ka thënë jo”, tha ndër tjerash ministri.
Ai pranoi se ndoshta heshtje e kryeministrit në disa raste, do të thotë “jo”.
“Prapë është vendimi i kryeministrit”, thotë Rashiq.
Rashiq e quajti “anti-serbe” Listën Serbe, duke thënë se ata do të mund ta pengojnë procesin e shkuarjes drejt zgjedhjeve të reja në veri.
“Shumica e qytetarëve në veri nuk e përkrahin politikën e Listës Serbe”, tha Rashiq.
Po të kishte zgjedhje tash, Rashiq thotë se Lista Serbe do të mund të mos merrte pjesë dhe se do të mund të krijohej një lloj pluraliteti në atë pjesë.