Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka thënë se përfaqësuesit e komunave me shumicë serbe dhe krerët e organeve paralele serbe që po veprojnë me direktivat e regjimit serb po bëjnë presion ndaj qytetarëve që duan të aplikojnë në konkursin e shpallur nga ministria që ai drejton, që ka të bëjë me ndihmat për shtresat nevojtare.
“Do të kërkoja nga të gjithë përfaqësuesit e institucioneve, veçanërisht ata që veprojnë sipas sistemit serb, por edhe ata të të Kosovës, veçanërisht kryetarët e komunave, që të mos i pengojnë bashkëqytetarët tanë duke iu ndaluar dhe duke mos u dhënë listat poseduese. Kam parë gjëra të ndryshme në jetën time politike dhe shumica prej tyre nuk kanë qenë të bukura, por nëse rezulton që informacioni që e kam, të jetë e vërtetë, kjo do të thotë se jo vetëm që kemi arritur në pikën më të ulët të vlerave morale, por edhe duhet të them se këta njerëz duhet ta dinë se janë duke kryer vepër penale, ju lutemi të gjithë përfaqësuesve të autoriteteve komunale, kryetarëve të komunave dhe përfaqësuesve të organeve paralele serbe që të mos kërcënojnë, shantazhojnë, bllokojnë, ndalojnë bashkëqytetarët të nxjerrin listat poseduese dhe dokumentacionin tjetër me të cilat t’i drejtohen ministrisë sonë për ndihma humanitare”, ka thënë Rashiq.
Ai ka thënë se ky është një “precedent psikologjik dhe moral. Të ndalosh bashkëqytetarët e tu, të afërmit, fqinjët, miqtë e tu që të mos jenë fitues të mjeteve që jepen për ta. I bëj thirrje kryetares Shubariq që edhe pse nuk pajtohemi politikisht, ndoshta mund të pajtohemi në pikëpamjen sociale, në kuptimin të ndihmës për familjet nevojtare”, ka thënë Rashiq.
Rashiq thotë se ka konfirmim se përfaqësuesit e institucioneve, në radhë të parë të atyre paralele serbe, po i pengojnë qytetarët që të aplikojnë në konkurs për ndërtimin e shtëpive, ndarjen e materialeve ndërtimore, teknikës së bardhë, pakove higjienike dhe ushqimit, si dhe mbështetje për biznesmenët dhe pronarët e bizneseve të vogla.
“Shembulli më brutal është se një bashkëqytetar ynë nga Prilluzhja, i cili ka aplikuar dje, gruaja e të cilit punon në komunë, u detyrua që sot me lot në sy të kërkojë të tërheqë kërkesën e tij, sepse një personazh i quajtur Millan Kostiq ka kërcënuar se gruaja e tij do të përjashtohet nga puna nëse pranon ndihmat kosovare. Ky është shembulli më konkret dhe më duhet të them se besoj që institucionet do ta kryejnë pjesën e tyre të punës dhe do të konstatojnë se kush po kërcënon nëpër komuna për hir të disa përfitimeve të tyre politike”, ka thënë ministri Rashiq.