Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë Kurti, Nenad Rashiq, ditë më parë u vu në qendër të vëmendjes për shkak të deklaratave lidhur me plagosjen e dy të rinjve në Komunën e Shtërpcës.
Rashiq, në Rubikon të Klan Kosovës, mohoi të ketë thënë se rasti në Shtërpcë ishte tentim vrasje.
“Është mirë kur informacionet po përdoren nga një anën në anën tjetër, por te gazetarët informacioni po përdoret vetëm pjesërisht, nuk ka ndodhur një gjë e tillë. Por jam i gëzuar se policia ka intervenuar me kohë dhe me shpejtësi dhe kjo tash është në organet kompetente, në gjykatë”.
“Unë nuk kam komentuar as për procesin kur unë kam qenë i akuzuar, prandaj për hir të respektit ndaj institucioneve nuk kam nevojë të komentoj diçka të tillë”, tha Rashiq në Rubikon të Klan Kosovës.
I pyetur për deklaratat e dhëna për mediat serbe, Rashiq tha se nuk beson të ketë deklaruar atë që u citua në media, njofton Klankosova.tv.
“Nuk besoj se e kam thënë kështu, e kam thënë edhe më herët, me të vërtetë besoj që nuk është korrekte ta komentoj kur një rast i tillë e ka marrë epilogun gjyqësor”, tha Rashiq. /Klankosova.tv