Raportuesja Speciale e Kombeve te Bashkuara (OKB) për Liri të Mendimit dhe Shprehjes, Irene Khan, po qëndron sot dhe nesër në Kosove, në një mision fakt-mbledhës. Raporti i saj, që do të publikohet pas misionit, do të jetë një ndër raportet më të rëndësishme për Kosovën për lirinë e shprehjes, raporton Ekonomia Online.
Khan është takuar edhe me Komisionin për të Drejtat e Njeriut dhe atë për Administratë Publike, për të diskutuar rreth këtij raporti.
Pas takimit, Khan tha se liria e mediave është sfidë si për Qeverinë ashtu edhe për Kuvendin, teksa tha se do ta fillojë raportin e saj duke e përshkruar mjedisin e mediave si shumë të gjallë.
“Faleminderit që ndatë shqetësimet e juaja me ne. Për deklaratën që është bërë vitin e kaluar për mjedisin e mediave si një mjedis i gjallë, është pikë e mirë që ta filloj raportin tim. Në të njëjtën kohë kam dëgjuar se ka vend për përmirësime”.
Ajo tutje pati një këshillë për Kuvendin, që ta miratojë kodin e etikës.
“Pavarësia e mediave varet nga financimi i mediave. Sa i përket mediave të lira dhe të pavarura. është një sfidë si për Qeverinë edhe për Kuvendin dhe shpresoj që ta merrni shumë seriozisht këtë. Si Kuvend duhet ta miratoni kodin e etikës. Ka pasur shumë çështje që keni ngritur këtu, disa nga ato do t’i mbulojmë. Do të takohemi edhe me shumë akterë të tjerë për të diskutuar”.
Pas përfundimit të vizitës së saj, Khan do të përpilojë një raport tematik me një sërë rekomandimesh për autoritetet publike për sesionin e 53-të të Këshillit të të drejtave të njeriut (HRC), që do të zhvillohet në qershor të vitit 2023. Një nga format më të rëndësishme për përcjelljen e çështjes është dialogu interaktiv me Këshillin për të drejtat e njeriut për raportin e finalizuar. Përafërsisht një e treta e të mandatuarve raportojnë gjithashtu në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së dhe disa kanë informuar zyrtarisht Këshillin e Sigurimit.
Kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Duda Balje, tha se në Kosovë ka liri të shprehjes, por se duhet të punohet edhe më shumë.
“Jemi duke punuar këtu kemi edhe shumë anë pozitive. Por duhet që hala të punojmë shumë më shumë. Duke filluar nga vetë Kuvendi se sa kemi të drejtë që të flasim, këtu kemi pikëpyetje. Unë si përfaqësuese nga komuniteti boshnjak jam e lirë që të flas atë që dua. Kemi nevojë për ndihma për disa sfera specifike ku ju mundeni me ndihmua për Kuvendin e Kosovës. Jemi duke punuar shumë, por ka hapësira për më shumë punë dhe mundemi që të ndryshojmë shumë më shumë. Ne në RTK kemi mundësi që të kemi emisionet në gjuhet e komuniteteve”, tha ajo.
Ndërsa, Valon Ramadani, kryetar i komisionit për Administratë Publike, tha se vendi kohëve të fundit ka bërë progres të madh në lirinë e shprehjes.
Sipas tij, kjo tregohet edhe ne raportet ndërkombëtare.
“Është e rëndësishme për ne që këto tema t’i trajtojmë me të tjerët nga jashtë. Themeli i një shoqërie të shëndoshë është liria, liria e shprehjes së çdo individi. Këtë e garanton edhe Kushtetuta jonë. Raportet tregojnë se jo gjithmonë në të kaluarën situata në terren ka qenë në përputhje me ligjet. Kosova ka dëshmuar që po angazhohet çdo ditë që qytetarët të jenë të lirë. Raporti i ‘Freedom House’ e tregon këtë më së miri. Vendi ynë ka zgjedhur rrugën e demokracisë. Kjo arritje për një kohë kaq të shkurtër na jep kurajë që të vazhdojmë. Kosova ka strehuar gazetarë të huaj. Shqetësues për ne mbeten sulmet e gazetarëve në veri që kanë ndodhur nga kriminelët”, tha ai.
Deputeti i PDK-së, Mergim Lushtaku, tha se një problematikë tjetër janë shpifjet dhe mashtrimet që behën në media sociale, e se për këtë duhet edhe një ligj.
“Një tjetër shqetësim është qasja në dokumentet zyrtare dhe kohët e fundit është duke qaluar shumë dhe nuk janë duke ju përgjigjur gazetarëve, shpresoj që kjo në vazhdim të rregullohet. Kemi problem edhe me mediat sociale, sepse nuk janë të rregulluara me ndonjë ligj. Ato kanë mundësi të shpifjeve dhe mashtrimit. Kosova ka nevojë që të ketë një rregullim në këtë çështje”, ka thënë ai.