Raportimi i medias online për lajmet e kronikës së zezë, duke zbuluar edhe detajet më të imta për viktimat, po mbetet një nga raportimet e përditshme dhe mjaft shqetësuese, për formën se si plasohen te publiku, shkruan infosot.com
“Ky është i riu që vdiq në aksident”, “Zbulohet identiteti i personit që u vra nga i ati”…janë vetëm disa nga titujt e zakonshëm që i shohim thuajse çdo ditë në portalet kosovare.
Një metodë e tillë e publikimit të identitetit apo fotografive të viktimave të aksidentit, vrasjeve apo dhunimeve, në median vendore po rritet çdo ditë, duke kaluar kështu edhe limitet etike gazetareske.
Duke mos u mjaftuar me kaq, shpeshherë publikohen edhe deklarata te personave të përfshirë në rastet që bëhen të mëdha nga media, duke cenuar kështu totalisht privatësinë e personazheve të tilla.
Identitetet, fotografitë dhe deklaratat, mediat i marrin nga policia, përmes raporteve ditore që këta të fundit i dërgojnë, apo i sigurojnë përmes burimeve të afërta që kanë brenda këtij institucioni.
Krejt ky raportim, sidomos ata që i sigurojnë të parët fotografitë apo identitetin e viktimave, sjell shumë klikime, pasi edhe lexuesit janë shumë “kurreshtarë” për të parë se kush mbeti i/e vdekur, apo, i/e vrarë, duke nënkuptuar, një “fitore të madhe” të klikueshmërisë, karshi etikës, shkruan infosot.com
“Publikimi i identitetit të personave qoftë të aksidentuar apo edhe të përfshirë në aksidente do të ishte mirë që të mos publikohen, sepse duhet të respektohet dinjiteti i personave të aksidentuar. Gazetarët duhet të kenë kujdes edhe për publikimin e fotografive të ndjeshme nga aksidentet. Është mirë që mediat të përmbahen nga publikimi i identitetit të viktimave në aksidente, para se të informohet familja. Natyrisht, është detyrë e gazetarit për të informuar “për rastin”, por pa e cenuar dhe publikuar identitetin e personit, mjafton të informohet publiku për rastin/ngjarjen duke ofruar të dhëna me iniciale, moshën dhe rrethanat e aksidentit, se sa për identitetin e personit, gjithnjë po flasim nëse personi nuk është person publik” thotë gazetari Shkëlqim Ajdini për infosot.com
Për lajme të tilla në portale ka folur edhe gazetari Lirim Mehmetaj. Ai ka thënë se i sheh mediat me mangësi kundrejt raportimit të lajmeve me fatalitet, pasi nuk kanë të angazhuar juristë, që u ndihmojnë medias që të mos bien ndesh me ligjin.
“Në disa shtete, siç janë shtetet gjermanofolëse, emrat e personave, nëse nuk janë persona publikë, nuk publikohen të plotë as atëherë kur merret vendim nga gjykata, se lëre më kur një person është veç i akuzuar. Atje zakonisht shkohet me emrin e parë të plotë dhe mbiemrin vetëm germën e parë. Në Kosovë e Shqipëri, fatkeqësisht, shumica e mediumeve ende nuk kanë mundësi financiare (të angazhojnë juristë brenda ekipeve që i këshillojnë se kur publikimi bie ndesh me ligjin), e për më tepër, disa nuk e kanë as preokupim profesional, që të jenë edhe të saktë edhe etikë, në publikimin e materialeve të ndjeshme.
Prandaj, kemi parë aq shpesh se si në një mënyrë aspak profesionale, do të thosha edhe brutale, janë publikuar emra e mbiemra, fotografi e të dhëna të tjera të ndjeshme për persona, jo se janë dënuar për diçka, e as akuzuar ligjërisht madje, por vetëm se janë përfolur” tha ai.
Gazetarët duhet që kur të raportojnë për lajme të tilla, ta bëjnë duke u bazuar në parimet e etikës gazetareske, sepse lajmet e tyre mund të lëndojnë familjarët e viktimave.
Sido që të jetë, siç duket, raportimi i tillë medial do të vazhdojë të jetë rrugë pa fund./infosot.com
















