Në Raportin e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Sigurimit, Antonio Guterres, për të cilin do të debatohet sot në Këshill të Sigurimit të OKB’së, flitet për zhvillimet politike dhe ato të sigurisë në Kosovë, në periudhën 16 prill-15 korrik të vitit 2017. Sekretari i Përgjithshëm, përmes këtij raporti u ka bërë thirrje partive politike në Kosovë që ta formojnë Qeverinë e re, të kenë përgjegjësi dhe të punojnë në mënyrë konstruktive. Gazeta Express sjell Raportin e Sekretarit Antonio Guterres, i cili do të lexohet sot në Këshill të Sigurimit të OKB’së dhe më pas do të debatohet për të.
Debati pritet të mbahet sot, më 16 gusht, në Këshill të Sigurimit të OKB’së ku do të prezantohet Raporti e korrikut, i përpiluar nga Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Sigurimit, Antonio Guterres për zhvillimet në fushën e politikës në Kosovë dhe në ato të sigurisë.
Në pikën e Vëzhgimeve të Raportit, Sekretari ka potencuar përpjekjet e institucioneve të Kosovës, vendore dhe ndërkombëtare për sjelljen e suksesshme të zgjedhjeve legjislative në Kosovë që u mbajtën më 11 qershor, shkruan Gazeta Express.
Megjithatë, Guterres përmes Raportit tre-mujor, u ka bërë thirrje atyre që e formojnë Qeverinë e re, të qeverisin dhe të punojnë në mënyrë konstruktive me opozitën e ardhme, për llogaridhënie dhe transparencë.
“Unë u bëj thirrje atyre që do ta formojnë Qeverinë e re të Kosovës, për të qeverisur me përgjegjësi dhe të punojnë në mënyrë konstruktive me opozitën e ardhshme, për të nxitur transparencë dhe llogaridhënie”, thuhet në raportin e publikuar në muajin korrik, për të cilin do te debatohet sot më 16 gusht në Këshill të Sigurimit.
Sa i përket dialogut në mes të Prishtinës dhe Beogradit, raporti thotë se Kosova në këtë fushë përballet me sfida serioze.
Sekretari i Përgjithshëm i KB’së, Antonio Guterres, përmes raportit, inkurajon përkushtimin ndaj parimit që mosmarrëveshjet duhet të zgjidhen nga mjete paqësore, derisa u ka bërë thirrje të dyja palëve për angazhim me vitalitet në këtë proces.
“Unë inkurajoj përkushtimin ndaj parimit që mosmarrëveshjet duhet të zgjidhen me mjete paqësore. U bëj thirrje të dyja palëve që të angazhohen përsëri në dialog dhe të sjellin vitalitet të ri në këtë proces”, shkruan më tej.
“Unë u bëj thirrje udhëheqësve politikë në Kosovë dhe në rajon të përmbahen nga deklaratat dhe veprimet që nxisin nacionalizëm etnik dhe mosmarrëveshje. Unë i inkurajoj qeveritë e reja në Beograd dhe Prishtinë që t’i japin shtyrje angazhimit konstruktiv për të trajtuar çështjet pozitive në një pozicion pozitiv”.
“Sundimi i ligjit dhe zbatimi i tij të jenë të paanshëm, pasi ky është gurë themeli i çdo shoqërie demokratike. Unë inkurajoj përpjekje më të mëdha për të konsoliduar sundimin e ligjit në Kosovë, veçanërisht në lidhje me mbrojtjen e të drejtave themelore dhe liritë, të grupeve të prekshme dhe të trashëgimisë kulturore”.
Sekretari gjithashtu përmes raportit kërkon që të rritet ndërgjegjësimi dhe ndihma për të adresuar çështjen e personave të zhdukur.
“U bëj thirrje udhëheqësve politikë, institucioneve dhe komunitetit ndërkombëtar, të demonstrojnë angazhimin e tyre për të ndjekur këtë prioritet dhe të sjellin paqe për ata që kanë vuajtur”.
Pikat e para të Raportit të publikuar në muajin korrik të këtij viti, thuhet se janë ndërtuar në periudhën e raportimit; nga një kolaps i udhëheqjes së koalicionit qeveritar nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, dhe më pas, nga zgjedhjet e parakohshme legjislative.
“Qeveria ra pas një mocioni mosbesimi ndaj saj, e paraqitur nga partia e atëhershme në opozitë, Nisma për Kosovën. Mocioni, i cili kaloi me 78 vota për, nga 34 prej 36 deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës. Si rezultat, Kuvendi u shpërbë dhe u caktuan zgjedhjet e hershme legjislative për 11 qershor”.
Në përgatitje për zgjedhjet, më 31 maj, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë publikoi listën përfundimtare të votuesve, e përbërë nga 1,872,941 votues me të drejtë vote, duke përfshire 155,202 votues të rinj.
Ky raport është paraqitur në pajtim me rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit (1999), me të cilin Këshilli themeloi Administratën e Përkohshme të Kombeve të Bashkuara, Misioni në Kosovë (UNMIK). Raporti mbulon zhvillimet që lidhen nga 16 prilli deri më 15 korrik të vitit 2017.
Raporti, gjithashtu përfshinë edhe vdekjen e aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari, ku thuhet; “…më 5 maj, rreth 100 aktivistë të Vetëvendosjes protestuan para Ministrisë së Drejtësisë, duke kërkuar drejtësi për Astrit Deharin, një anëtar i partisë së tyre, i cili ka vdekur në Qendrën e Paraburgimit më 5 nëntor 2016. Protesta u bë e dhunshme, me protestues duke hedhur gurë në oficerët e policisë së Kosovës, duke plagosur dy prej tyre dhe vandalizuar 60 automjete të Ministrisë së Drejtësisë dhe Policisë së Kosovës”, shkruan në raportin e korrikut.
Pjesë e raportit të Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Sigurimit, është përfshirë edhe sulmi fizik ndaj ish-gazetares, tash pjesë e Partisë Demokratike të Kosovës, Arbana Xharra, ku shkruan; “….më 13 maj, në Prishtinë, një gazetare e shquar kosovare, Arbana Xharra, u lëndua rëndë nga një sulm fizik nga autorë të panjohur. Znj. Xharra kishte qenë më parë objekt i kërcënimeve dhe sulmeve për artikujt e saj rreth politikës, korrupsionit dhe rrezikut të ekstremizmit fetar. Udhëheqësit vendorë dhe ndërkombëtarë dhe përfaqësuesit e komunitetit, dënuan sulmin dhe u bënë thirrje forcave të rendit, autoriteteve, për t’i sjellë autorët para drejtësisë”.
Pika 24 e Raportit, flet për arritjet e Kosovës në luftimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që çon në terrorizëm, nga periudha 2015-2020; “Disa komuna, në bashkëpunim me organizatat vendore dhe ndërkombëtare, të angazhuar në mënyrë konstruktive me të rinjtë në një përpjekje për të parandaluar radikalizmin e të rinjve, vazhduan programin për luftimin e kësaj dukurie”.

















