Shefja për Politikë të Jashtme të BE-së, Federica Mogherini prezantoi zyrtarisht nga Brukseli progres-raportin e KE-së për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Nga 6 partnerët e Ballkanit Perëndimor, Serbia dhe Mali i Zi kanë ecur mirë. KE rekomandon të vendosë të hapë negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Po punojmë për opinionin me kërkesën e Bosnje Hercegovinës dhe po ashtu me autoritetet kosovare”, tha Mogherini.
Duke theksuar se çdo vend vlerësohet në bazë të meritës së vetë për reformat, Mogherini shprehu bindjen, se reformat në këto vende do të vijojnë në të gjitha fushat.
Mogherini thotë se rekomandojnë hapjen e negociatave për Shqipërinë
Shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, prezantoi zyrtarisht para Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Evropian në Strasburg progres-raportin për vendet që duan të bëhen pjesë e Unionit, përfshi këtu edhe Shqipërinë.
“Sot kolegji aprovoi paketën e përvitshme të zgjerimit për Ballkanin perëndimor dhe Turqinë. Është interesi ynë të kemi një politik të suksesshme të zgjerimit. Ballkani perëndimor është Evropë dhe do të jetë pjesë e së ardhmes së BE. Është në përfitimin tonë dhe të qytetarëve tanë. Secili vend vlerësohet mbi bazën e meritës personale dhe progresin mbi reformat. Përgjatë vitit të kaluar partnerët tanë të Ballkanit kanë ndërmarrë reformë shumë të rëndësishme. Këshilli vendos të hap bisedimet për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë”, tha Mogherini.
Gjatë publikimit të raportit të progresit për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, Mogherini theksoi se duhet fokusuar në çështje kryesore për zbatimin e ligjeve, tregun e lirë dhe duhet siguruar se reformat janë implementuar në formën e duhur, pasi qytetarët presin nga vendet përkatëse që të ketë suksese në këto politika.
“Muajt e ardhshëm janë të rëndësishme dhe të ketë angazhim të përbashkët dhe me mbështetjen e njerëzve tonë që të kemi progres të mëtejmë”, tha Mogherini.
Ndërsa Johaness Hahn, tha se është e rëndësishme për Ballkanin Perëndimor që të ofrojë stabilitet. Ai me këtë rast ka përkujtuar se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në BE.
“Çdo vit në pranverë do të kemi një raport të stabilitetit dhe KE e ka marrë parasysh progresin e bërë nga Maqedonia dhe Shqipëria dhe ka rekomanduar për hapjen e negociatave për BE-në. Duhet mbajtur ky momentum i reformave kur bëhet fjala për Shqipërinë, si reformat në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe mbrojtja e minoriteteve”, ka thënë Hahn, komisionar i BE-së për Zgjerim./RTK/



















