Democracy Plus (D+) dhe Westminster Foundation for Democracy (WFD) kanë publikuar raportin “Kostoja e Politikës në Kosovë”, një studim që analizon shpenzimet e kandidatëve për deputetë gjatë zgjedhjeve nacionale të vitit 2025, si dhe ndikimin e tyre në konkurrencën politike, barazinë e mundësive dhe integritetin zgjedhor. Gjetjet kryesore të raportit tregojnë rritje të kostos së fushatave, varësi të lartë nga financimi personal dhe pabarazi mes burrave dhe grave në shpenzimet zgjedhore, raporton Ekonomia Online.
Në bazë të raportit rezulton se mesatarja e shpenzimeve për një kandidat është 9 mijë e 463 euro, ndërsa kandidatët fitues shpenzojnë mesatarisht 12 mijë e 150 euro, kurse ata të pazgjedhur shpenzojnë 4 mijë e 90 euro. Sipas raportit gratë kanë shpenzuar më pak, krahasuar me shpenzimet e burrave gjatë fushatës zgjedhore.
Graeme Ramshaë, Drejtor për Cilësi dhe Inovacion në Fondacionin Ëestminster për Demokraci, tha se raporti është fokusuar në mënyrë të veçantë te rinia dhe gratë në garën zgjedhore.
“Për t’u bërë deputet është problem, aq sa edhe marrja e vetë pozitës së deputetit. Kemi shikuar se sa shpenzime bëhen dhe sa presion ushtrohet. Donim të bënim një fokus te gratë dhe rinia. Ndërsa studimet janë akumuluar në këtë projekt, kemi parë disa kontekste shtetërore, shoqërore dhe ekonomike. Fushatat po bëhen më të shtrenjta; kandidatët po mbështeten në financim personal, ndërsa gratë marrin hua nga të afërmit”, tha ai.
Albert Krasniqi, Drejtor i Programeve në “Demokraci Plus”, prezantoi gjetjet e raportit “Kostoja e Politikës në Kosovë”, duke shpjeguar metodologjinë dhe rezultatet e hulumtimit.
“Kemi përdorur analizën e kornizës ligjore, intervista gjysmë të strukturuara me 15 kandidatë, 10 deputetë dhe 5 kandidatë për deputetë. Gjithashtu kemi realizuar dy fokus-grupe, njërin me politikanë dhe tjetrin me aktivistë të shoqërisë civile, gazetarë dhe ekspertë”, tha Krasniqi.
Në raport bëhet e ditur se rekrutimi i kandidatëve në partitë kryesore të Kosovës pasqyron presione të përbashkëta sistemore dhe tradita specifike partiake.
“Një krahasim ndërpartiak i tri partive kryesore në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 tregon se, ndonëse kriteret formale shpesh përmendin integritetin, profesionalizmin, balancën gjinore dhe përfaqësimin, në praktikë rekrutimi formësohet më pak nga aktivizmi afatgjatë partiak dhe më shumë nga popullariteti i jashtëm, burimet financiare dhe mbështetja e liderit. Kjo pasqyron një trend më të gjerë të figurave ‘të gatshme’ politike që hyjnë në politikë mbi bazën e dukshmërisë apo pasurisë, sesa përmes socializimit gradual politik”, thuhet në raport.
Krasniqi tha se janë kryer analiza me tri partitë kryesore: LVV, PDK dhe LDK.
“Sa i përket rekrutimit, kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje na kanë thënë se kriteret përfshijnë aspektin gjeografik të përfaqësimit dhe ndikimin në zonat prej nga vijnë; aftësinë polarizuese të kandidatëve në kuptim të përfaqësimit të temave qendrore politike dhe ballafaqimit me rivalët; aktivistët e hershëm dhe ata me pushtet ekzekutiv; afërsinë me liderin dhe strukturat e partisë; si dhe figura nga akademia dhe bota e showbizit. Ndërsa nga Partia Demokratike e Kosovës na kanë thënë se kandidatët duhet të mos kenë aktakuza, të jenë profile publike dhe të profilizuara në fusha të caktuara; mosha dhe kandidatë që nuk kanë pasur angazhime të mëhershme politike; historiku i kontributit për vendin dhe lidhjet me luftën e UÇK-së. Nga Lidhja Demokratike e Kosovës, kriteret përfshijnë ruajtjen e votës konservatore të LDK-së, profilin profesional, lidhjet e krijuara me komunitetin e biznesit ose kuptimin e zhvillimit ekonomik, si dhe afërsinë me lidershipin e partisë. Këto kanë qenë partitë kryesore me të cilat kemi realizuar analizën. Shpenzimet nga partitë politike, sipas tyre, janë të ndara në tri fusha: takimet me qytetarët; prania dhe ndikimi digjital; si dhe stafi i fushatës zgjedhore dhe aktivitetet për ditën e zgjedhjeve”, tha ai.
Krasniqi prezantoi shpenzimet për fushatën zgjedhore të zgjedhjeve të shkurtit, derisa theksoi se gratë kanë bërë shpenzime më të mëdha.
“Sa i përket lidhjes mes shpenzimeve dhe suksesit zgjedhor, rezulton se ata që kanë shpenzuar deri në 2,500 euro, nga tre kandidatë asnjëri nuk ka siguruar ulëse në Kuvendin e Kosovës. Shpenzuesit mesatarë, me 2,500 deri në 7,999 euro, nga katër kandidatë tre kanë fituar. Ndërsa shpenzuesit mbi 8,000 euro nga tetë kandidatë shtatë e kanë siguruar ulësen. Mesatarja për një kandidat është 9,463 euro; kandidatët fitues shpenzojnë mesatarisht 12,150 euro, ndërsa kandidatët e pazgjedhur 4,090 euro. Gratë kanë qenë më pak shpenzuese në fushatën zgjedhore: gratë kanë shpenzuar rreth 6,000 euro, ndërsa burrat rreth 15,000 euro”, prezantoi ai.


















