Në një raport të publikuar së fundmi të misionit të OSBE-së në Kosovë mbi bashkëpunimin ndër-komunal (BNK) thuhet se ndonëse ekziston korniza ligjore për një bashkëpunim të tillë dhe se ajo është përgjithësisht e harmonizuar me standardet e Bashkimit Evropian (BE), Këshillit të Evropës (KiE) dhe OECD-së, zbatimi i saj në praktikë mbetet i kufizuar dhe i pashfrytëzuar mjaftueshëm.
Sipas raportit, bashkëpunimi ndër-komunal i referohet marrëveshjeve formale ose joformale përmes të cilave dy ose më shumë komuna bashkëpunojnë për të arritur qëllime të përbashkëta. Kur zbatohet në mënyrë efektive, BNK mund të përmirësojë ofrimin e shërbimeve, tërheqjen e fondeve të reja dhe forcimin e lidhjeve ndërmjet komuniteteve.
“Pavarësisht këtyre përfitimeve potenciale, raporti ynë konstaton se bashkëpunimi ndër-komunal është ende dhe shpeshherë joformal, i pastrukturuar, ose nuk ndodh fare. Si rezultat, shpesh humbasin mundësitë për shërbime më të fuqishme, shpenzime publike më efikase dhe bashkëpunim më të avancuar mes komuniteteve,” tha Ambasadori Gerard McGurk, shef i misionit të OSBE-së në Kosovë.
Raporti e identifikon si mundësi të rëndësishme investimin në bashkëpunimin ndër-komunal si mjet për qeverisje lokale gjithëpërfshirëse, me kosto-efektive dhe të qëndrueshme në Kosovë.
Në përfundim theksohet se nëse do të ndërmerreshin këto reforma dhe investime, bashkëpunimi ndër-komunal mund të evoluojë nga një praktikë margjinale në një mjet thelbësor për përmirësimin e performancës komunale dhe forcimin e qeverisjes lokale.
















