Komisioni Evropian në raportin për Serbinë për vitin 2022, ka theksuar se duhet të arrihet urgjentisht marrëveshja me Kosovën.
Në këtë raport thuhet se nuk është arritur ende përparim konkret në dialogun Kosovë – Serbi.
KE-ja kërkon nga palët e përfshira që të angazhohen në mënyrë konstruktive pa vonesë në arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse ligjërisht të obligueshme.
Sipas këtij raporti marrëveshja është vendimtare për Kosovën dhe Serbinë, në mënyrë që të mund të avancojnë në rrugët e tyre evropiane.
“Dialogu i ndërmjetësuar nga BE për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën ka vazhduar gjatë gjithë periudhës raportuese me takime të rregullta mujore në nivel të kryenegociatorëve dhe një takim të nivelit të lartë në Bruksel më 18 gusht 2022. Nuk është arritur ende përparim konkret për marrëveshjen gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme, ndërsa në takimin e nivelit të lartë presidenti Vuçiq dhe kryeministri Kurti ranë dakord për takime të rregullta në nivel liderësh për të çuar përpara negociatat. Kosovës dhe Serbisë tani i kërkohet të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe të avancojnë negociatat për marrëveshjen gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme të normalizimit pa vonesa të mëtejshme. Arritja e një marrëveshjeje të tillë është urgjente dhe vendimtare në mënyrë që Kosova dhe Serbia të mund të avancojnë në rrugët e tyre evropiane” – thuhet në raportin e Serbisë të Komisionit Evropian, përcjell Klankosova.tv