Ministri për Integrime Evropiane, Bekim Çollaku në pjesën e dytë të mbledhjes së Komisionit parlamentar për Integrime Evropiane, të martën tha se liberalizimi i vizave është vetëm një çështje teknike, e cila, sipas tij, shumë shpejt do të përfundojë
Çollaku tha se tashmë kanë marrë raportin e ekspertëve për çështjen e përmbushjes së kritereve për liberalizimin e vizave, në të cilin ka pasur rekomandime sa i përket sundimit të ligjit.
Por, sipas tij, Raporti i Komisionit Evropian për viza pritet që të jetë nga fundi i dhjetorit, më së largu në muajin janar.
“Sot përfundon raporti i BE-së për liberalizmin e vizave për Kosovën, ai do t’iu dërgohet vendeve anëtare të BE-së. Nuk e di se kur do ta ketë Kosova, por shpresoj që do të jetë raport pozitiv”, citon KL Çollakun.
Sipas tij, ky do të jetë raporti i fundit i Komisionit Evropian dhe se tashmë ai nuk ka asnjë arsye që të mos japë datën për liberalizimin e vizave.
Çollaku tha se edhe pas kësaj, janë disa procedura të tjera që Kosova duhet t’i përmbushë, por shpreson që kjo të bëhet gjatë vitit të ardhshëm.
Nuk është hera e parë që udhëheqësit institucional bëjnë premtime për liberalizimin e vizave. E pikërisht tani pas nënshkrimit të MSA-së mes Kosovës dhe BE-së, ky premtim po përmendet edhe më shumë.
Një premtim të tillë e kishte dhënë edhe ministri i Punëve të Jashtëm që nga vitit 2010, dhe ndonëse kanë kaluar 5 vjet nuk ka pasur asgjë konkrete, përpos raporteve të KE-së që duhet ende të përmbushen kritere për liberalizimin e vizave.