Autoritetet vendore ia dërgojnë sot Komisionit Evropian raportin e dytë përmbledhës mbi përmbushjen e rekomandimeve për liberalizim të vizave.
Ndërkohë në muajin korrik në Kosovë pritet të vijë një ekip i BE-së për të vlerësuar nga afër përmbushjen e kritereve të kërkuara.
Ministria e Integrimit ia dërgon sot Komisionit Evropian raportin e dytë përmbledhës mbi përmbushjen e rekomandimeve për liberalizim të vizave. Zyrtarë të kësaj ministrie kanë konfirmuar se institucionet e Kosovës i kanë përmbushur kriteret e vëna nga Komisioni Evropian. Ndërkaq pas marrjes së raportit, një ekip i BE-së pritet të vijë në vendin tonë muajin e ardhshëm, për të parë nga afër se në çfarë mase janë përmbushur kriteret e kërkuara. Ministri i integrimit Bekim Çollaku ka thënë ditë më parë se Kosova ka punuar për tre vjet në përmbushjen e këtyre kritereve, prandaj presin që deri në fund të vitit edhe rekomandimet e Komisionit Evropian për liberalizim të vizave të jenë pozitive, transmeton rtk.
Përveç këtij procesi, Kosova në muajt e ardhshëm do të nënshkruajë edhe Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, e cila shënon marrëdhënien e parë kontraktuale mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian e cila pritet të hyjë në fuqi nga janari i vitit të ardhshëm.