Raporti i DASh-it, reagon Tahiri: Konfirmim që Kosova ka humbur 2 vjet, pa asnjë sukses në zhvillim ekonomik

E publikuar: 30/07/2023 13:44
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri ka komentuar Raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit, për “klimën e investimeve në Kosovë“, për vitin 2023.

Tahiri përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook ka thënë se ballafaqimi me shumë kriza të njëpasnjëshme të qeverisë Kurti, raporti i DASh-it nuk u trajtua me seriozitet nga ana jonë.

“Ky saktësim i raportit të DASh-it, kaloi pa u trajtuar me seriozitet, sepse po ballafaqohemi me krizë pas krize të kësaj Qeverie!”, ka thënë ndër të tjera Tahiri.

Postimi i plotë:

Raporti i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASh) për “klimën e investimeve në Kosovë“, për vitin 2023, konfirmon atë që ne vazhdimisht e kemi evidentuar, që kjo Qeveri i ka humbur dy vite, pa asnjë sukses në fushën e zhvillimit ekonomik. Më specifikisht, theksohet se investimet e huaja direkte mbetën të kufizuara dhe se remitencat janë shtytësi kryesorë i zhvillimit ekonomik.

Ky saktësim i raportit të DASh-it, kaloi pa u trajtuar me seriozitet, sepse po ballafaqohemi me krizë pas krize të kësaj Qeverie!Problemet strukturore si ndërhyrjet politike në gjyqësi, sektori i paqëndrushëm ekonomik, apo ekonomia informale janë thekset kryesore që paralajmërohen në hyrje të raportit. Është e vështirë, për të mos thënë e pamundur, që në këtë raport, të gjendet ndonjë referencë për ndonjë arritje domethënëse në ndonjë sektor të caktuar. Pa vizion, pa njohuri, pa kapacitete, pa potencial për diversifikim të burimeve dhe investimeve, kjo Qeveri menaxhon në ekonomi, me logjikën e shpërndarjes së buxhetit dhe fryrjes së procedurave dhe burokracisë. Si në secilën fushë, kjo Qeveri i ktheu premtimet në mashtrim qeverisës kolosal.