Vetëm 37 për qind e popullsisë së aftë për punë të punësuar. Kështu deklaron Banka Botërore, në publikimin e raportit të ri analitik mbi ecurinë e ekonomisë në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.
Qeveria e Kosovës pati deklaruar se papunësia në vend është veç 4 për qind.
Pas këtij lajmi ka reaguar Ministri i Financave, Hekuran Murati i cili u shpreh se kjo shifër ka të bëjë me pjesëmarrjen e popullsisë aktive në tregun e punës, pra tregues tjetër prej atij të papunësisë.
“Raporti i Bankës Botërore, siç edhe mund të shihet në tabelën më poshtë, e thotë që papunësia në Kosovë në fund të vitit 2023 është 10.9%. Shifra që disa media po i referohen në atë raport, ka të bëjë me pjesëmarrjen e popullsisë aktive në tregun e punës, pra tregues tjetër prej atij të papunësisë.
Kushdo që e ka lexuar së paku një libër për këtë temë, din ta bëjë dallimin në mes të shkallës së papunësisë dhe shkallës së pjesëmarrjes së popullsisë aktive në tregun e punës”, shkroi Murati në Facebook.