Sipas Qeverisë së Kosovës, çështja e Asociacionit nuk ndikon për të keq në raportet me SHBA-në. Opozita nuk pajtohet.
Këto janë gjashtë kushtet e ekzekutivit për pranimin e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe që Kryeministri Albin Kurti paraqiti në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës.
Presioni për themelimin e Asociacionit po shtohet çdo ditë e më shumë nga ndërkombëtarët.
E nga opozita po kërkohet më shumë seriozitet nga Qeveria e bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Duhet të ruajë partneritetin me miqtë ndërkombëtarë, me SHBA-të dhe me BE-në. Duhet të jetë e sinqertë dhe transparente për qytetarët e Kosovës dhe jo të krijojë këso situata dhe në fund të veprojë ndryshe. Mendoj se nuk është e sinqertë sa i përket Asociacionit, qëndrimi i Kurtit.”, tha Hajdar Beqa, deputet i PDK-së.
E sipas deputetes së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi ekzekutivi duhet të dalë përballë proceseve, dhe të ketë kujdes në raport me ShBA-në.
“Kryeministri duhet të ketë kujdes në raport me SHBA-të, sepse falë tyre ne jemi këtu. Ne si LDK e kemi përkrahur kryeministrin në proceset integruese, por gjithmonë ato procese kur kanë qenë në dakrodim me SHBA-të dhe BE-në.”, tha Rrezarta Krasniqi nga LDK.
E mungesa e një ftese për ekzekutivin për Lutjet nacionale të Mëngjesit në Ëashington sipas Aleancës së Ardhmërisë së Kosovës tregojnë raportet që qëndrojnë mes SHBA-së e Kosovës.
“Vet fakti që jashtë shtetit, tash në Lutjet e Mëngjesit kanë udhëtuar të gjithë liderët e partive politike por edhe deputetë të partive politike dhe mos ftesa për Qeverinë lë për të dëshiruar për këto raporte (me SHBA).”, tha Time Kadrijaj, deputete e AAK-së.
Mirëpo sipas ekzekutivit çështja e Asociacionit nuk mund të ndikojë për të keq në raportet me Shtetet e Bashkuara.
“Kjo nuk i dëmton raportet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. SHBA-të janë një demokraci, ashtu siç është edhe Kosova. Vendimet i marrim me shumicë në Kuvendin e Kosovës dhe në Qeveri. Njëkohësisht bashkëpunojmë ngushtë me SHBA-të, i tregojmë cilat janë interesat e tona.”, tha Fitore Pacolli nga VV.
Lutjet e Mëngjesit, është një traditë e vjetër amerikane, sipas të cilës, çdo vit në fillim të shkurtit, në lutjet e përbashkëta mblidhen presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, anëtarë të Kongresit, politikanë amerikanë dhe udhëheqës ushtarakë, si dhe mysafirë nga qindra vende të botës.