Prilli bën çfarë t’i teket. Kjo është një idiomë gjermane, për të përshkruar motin e ndryshueshëm në muajin prill. Në mëngjes mund të bjerë borë, kurse dikur mund të ndryshojë në shi, e fare në fund mund të kemi ditë të bukur me diell. Askush nuk mund të garantojë për këtë muaj.
Nga Berat Buzhala (Vazhdimi i dytë)
Ramushi është sikur muaji prill. Ai është në gjendje të përfundojë një projekt që kishte ngecur me dekada, kurse dikur pasdite, befasisht, ta rrisë pagën e tij.
Mënyra e punës së Haradinajt, algoritmi i tij, do të konsiderohej krejtësisht e papranueshme në dy-tri dekadat e kaluara, mirëpo jo edhe në 5-6 vjetët e fundit.
Bumi i rrjeteve sociale, që në masë të madhe i ka eliminuar mediat si ndërmjetësues në mes të politikës dhe qytetarëve, u ka mundësuar politikanëve si Haradinaj, që në sytë e publikut shpeshherë të duken origjinalë dhe popullorë, për dallim prej politikanëve, ta zëmë, si z. Thaçi, që janë artificialisht të konturuar, që çdo deklaratë të tyren e matin me vota, me politikë ditore, duke e vrarë mendjen se çfarë do të thoshin qytetarët për të.
Kështu Haradinaj nëse nuk mërzitet shumë për faljen e borxheve, të cilën thuhet se e ka bërë në mënyrë krejtësisht spontane. Sipas një burimi, Haradinaj kur ka qenë në takim me prodhuesit e ujit i ka telefonuar ministrit të Financave, Bedri Hamza, e ka lëshuar bisedën në interfon, dhe e ka pyetur atë në prezencën e biznesmenëve: “A është problem i madh nëse ua falim borxhet?”. Haradinaj, ka treguar burimi, i ka treguar Hamzajt që është në takim me prodhuesit, në momentin kur po fliste.
Një reagim i tillë do të ishte i paimagjinueshëm edhe për Mustafën, edhe për Thaçin, por edhe për shumicën e politikanëve të tjerë. Haradinaj nuk jeton brenda këtyre kornizave. Ai nuk mërzitet shumë as kur flet për gjuajtjet me armë, as kur i fal borxhet pa u menduar shumë, mirëpo ai me po këtë energji i përfundon edhe shumë punë të tjera, që paraardhësit e tij të kujdesshëm nuk do t’i përfundonin kurrë.
Kështu, për shembull, Haradinaj arriti që në një kohë rekord, për këtë edhe u duartrokit, ta finalizojë projektin “Kosova e Re”. Ky projekt po shëtiste, pothuajse qe 10 vjet, nga një zyrë në një tjetër, nga një zyrtar i lodhur te një tjetër, derisa arriti në dorën e kryeministrit Haradinaj. Nuk kam njohuri se si e ka trajtuar, nuk e di edhe a ishte e gjitha në përputhje me procedurat e parapara, mirëpo e di që bëri mirë që i dha fund, duke i hapur një perspektivë të re ekonomisë së vendit tonë, e gjithashtu duke e shndërruar Kosovën në lajm të mirë në mediat më të fuqishme botërore se po zhvillohet këtu një projekt në vlerë disa miliardë euro.
Me energjinë e një demi të fuqishëm, kryeministri Haradinaj u qaset edhe problemeve të tjera ditore.
Gjatë këtyre 100 ditëve ai e ka takuar këdo që ka pasur një hall dhe ka dashur ta takojë kryeministrin. Sa ka takuar njerëz Haradinaj për 100 ditë, ka mundësi që Thaçi e Mustafa nuk i kanë takuar për katër vjet.
Përparësi e Haradinajt është që nuk frikësohet prej përballjeve, sado të ndjeshme që mund të jenë ato. I kësaj natyre ishte edhe reagimi i tij kur në sheshin para Qeverisë kishin ardhur për të protestuar familjarët e Grupit të Kumanovës, të dënuar tash së fundmi në Shkup me disa qindra vjet burg. Derisa Haradinaj ende nuk kishte dalë para tyre në shesh, aty dëgjoheshin parulla për tradhti. Ato pushuan sapo kryeministri iu doli përpara. Madje, ai shkoi aq larg sa i thoshte njërit që po vazhdonte të fliste nga prapavija, që t’ia tregonte fytyrën sepse nuk po e shihte mirë.
Me të njëjtën logjikë, këtë të përballjes, Haradinaj e kishte trajtuar, e edhe zgjidhur, rastin “Rikallo”, që shumëkush priste që do të shndërrohej në një kauzë të rrezikshme antiqeveritare. Me dy-tri polemika direkte, me dy-tri gjysmëpërgjigje e gjysmëkërcënime, Haradinaj e “palosi” Lëvizjen Vetëvendosje. Në këtë mënyrë ai arriti, që përveçse ta fitonte betejën “Rikallo”, të parën serioze, t’i bëjë për vete edhe deputetët serbë, të cilët e panë Haradinaj si një partner serioz, që nuk e kthen kokën në anën tjetër, sapo të shfaqet vështirësia e parë. Xhelal Sveqlës, në këtë betejë, nuk i kishte mbetur gjë tjetër përveçse të lutej për më shumë fat në herat e tjera.
Gjithashtu, Haradinaj e kishte hapur derën e tij edhe për familjen Dehari, duke ia mundësuar çdo gjë që kishte në dispozicion për të zbardhur rastin e vdekjes tragjike të djalit të tyre, Astritit, në burgun e Prizrenit. Është pozitive kur lideri i një vendi tregon gatishmëri për t’u përballur me raste të këtilla, që shumë prej nesh do të donim t’i shmangnim. Në këtë mënyrë ai e heq prej dorës së abuzuesve me fatkeqësi një mundësi për të përfituar prej saj.
*
Qeveria “Haradinaj”, nga ajo çfarë kemi parë deri më tash, ka qenë pothuajse një “one man show”. Në radarin e publikut ka qenë kryeministri. Roli i ministrave që ishte shumë i rëndësishëm në Qeverinë “Mustafa”, tash është minimizuar më shumë në rol të këshilltarëve të dikastereve të caktuara, të cilët paraqiten në krah të shefit të tyre të Qeverisë, sa herë që ai shkon diku për vizita. Ata mbesin nën hije të energjisë së tij, shpeshherë të brutalitetit të tij. Ramushi në Hade. Ramushi në QKU. Ramushi në Autostradë. Ramushi është kudo, vetëm ndërrohen ata që qëndrojnë në krahun e tij.
Tashmë nuk është mit, ai vërtet punon shumë mbi mesataren e kryeministrave të tjerë. Paraqitjet e tij publike, në orët e vona, qoftë nga KEK-u, qoftë nga QKU-ja, qoftë nga pika të tjera të ndjeshme, janë shndërruar në rutinë.
Mirëpo, tash, prapë, duhet nënvizuar që pikat e tij të forta janë edhe dobësitë e tij. Kryeministri Haradinaj në momente të caktuara duket sikur harron që kush është bashkëbiseduesi përpara tij. Nuk di ta dallojë mirë Mogherinin me, për shembull, drejtorin e QKU-së, e as Obiliqin me Brukselin. Kjo është një gjë e mirë, deri në njëfarë mase. Nëse teprohet, atëherë është pengesë e madhe. Kokëfortësia e tij është monumentale. Ai duket, në momente të caktuara, se beson në vetveten se ka aftësi paranormale për t’i lexuar disa raporte, për t’i lexuar disa nëntekste, për t’i parashikuar disa ngjarje, që ne të tjerët, vdekatarët, nuk e kemi. Prandaj, kur e shohim që flet para mediave, kur jep intervista, është pak i shkëputur prej nesh. Duket sikur komunikon në valë të tjera, të cilat vetëm ai mund t’i kapë. Është shumë problem që të ndiqet linja e tij e mendimit dhe e logjikës. Për shembull, jo-në që ia thotë Arben Gjukës ai ka rrezik që ia thotë edhe ambasadorit amerikan, ose Mogherinit. Teknikisht kjo gjë mund të mos ketë dallim të madh, sepse njeri është ai e njeri është ky, por praktikisht në mes tyre është një oqean. Për këto arsye, për mirë ose për keq, më shumë për keq sesa për mirë, Haradinaj ka rreth vetes besimtarë e jo kolegë.
Nisur nga këto premisa, nuk janë të rralla rastet kur e shohim Haradinajn në territore të pashkelura politike, kryesisht të minuara. Besimtarët rreth tij, që paguhen si këshilltarë, befasohen bashkë me ne me pozicionimet e forta të shefit të tyre. Fuqia e gravitetit të Haradinajt krahasuar me fuqinë e gravitetit që kanë njerëzit rreth tij, është disproporcionalisht më e madhe, prandaj nuk ka mundësi që të kenë peshë idetë tjera. Ato përpihen nga epiqendra, që është Haradinaj. Për të gjitha arsyet e mësipërme këshilltarëve, stafit të tij, nuk iu mbetet shumë hapësirë për të vepruar, përveç që ta admirojnë atë.
/express/
(Vijon nesër)