Parim Olluri
Si ndodhi që për tri ditë rresh një lider politik lëshoi deklarata të papjekura e komike dhe nuk barti përgjegjësi për njerëzit e tij që dolën në rrugë për ta mbrojtur atë?
Ramush Haradinaj kurrë nuk ka qenë më komik dhe më i papërgjegjshëm se sa gjatë këtyre ditëve që ra në dorë të sllovenëve.
E mira e krejt kësaj historie është që Haradinaj në këtë kohë nuk është kryeministër aktual shteti, një ambicie nga e cila po rrëshqet në mënyrë monotone aq sa po i bëhet edhe utopike.
Nëse do të ishte në këtë pozitë atëherë deklaratat e tij do të kishin peshë më të madhe dhe raportet e mira me Slloveninë tashmë do të ekzistonin. Do të ishim në ‘gjendje lufte diplomatike’.
Mirë që është një ish-kryeministër ngjashëm si Bajram Kosumi e Agim Çeku, dhe ka vetëm pozitën e deputetit në parlament dhe është kryetar i partisë së katërt për kah fuqia politike.
Por edhe pozita e deputetit nuk është e vogël për t’ia arsyetuar deklarimet e papërgjegjshme vetëm pse po kalon një javë jo të mirë në karrierën e tij politike.
Është fakt që Haradinaj po vuan qe tri ditë në një hotel në Slloveni nga papërgjegjësia e shtetit të Kosovës.
Kanë të drejtë ‘oborrtarët’ e tij kur thonë se zyrtarët e Ambasadës së Kosovës në Slloveni është dashur qe shtatë vite që ta rregullojnë problemin e fletë-arrestit të lëshuar nga Serbia e Mali i Zi në vitin 2004.
Nëse zyrtarët kosovarë do të punonin në këtë drejtim është e mundur që do të kishin hasur në mirëkuptim të autoriteteve politike në Slloveni, shteti që njohu ndër të parët Republikën e Kosovës.
Por cili është mëkati i Haradinajt dhe pse ai nuk është dashur të marrë rolin e një komediani pas ndalimit nga autoritetet sllovene?
Haradinaj si lider i një subjekti opozitar ka me mijëra njerëz që janë të bindur ndaj fjalës së tij.
Fjala e tij ka ndikim tek anëtarësia e AAK-së dhe respektohet si e shenjtë. Ndryshe kuptohen fjalët e tij jashtë këtij subjekti politik. Marrin kahje komike.
Haradinaj mban njerëz të shkolluar në rrethin e këshilltarëve, por kësaj here, me deklaratat e tij menjëherë pas ndalimit në Slloveni, ua imponoi edhe atyre që të mbajnë një kurs të fortë fjalësh kundër shtetit slloven.
Kur Haradinaj u intervistua nga KTV, natën e parë të ndalimit, tha se do t’ua kthente sllovenëve këtë ofendim që ia kishin bërë. Nuk tregoi detajisht se në çfarë mënyrë dhe kur iu kërkua një koment lidhur me protestuesit para ambasadës sllovene në Prishtinë pasi e ndali telefonin duke i thënë natën e mirë udhëheqësit të emisionit.
Ngjashëm u shfaq edhe kur u lidh drejtpërdrejtë me televizionin publik.
“Është një praktikë e talljes me shqiptarë. Duhet ta dinë që shqiptarët janë 7 milionë në Ballkan e të paktën këta që kanë qenë në ish-jugosllavi nuk munden me u tallë”, tha Haradinaj.
As këtu nuk komentoi lidhur me protestat para ambasadës sllovene por përmendja e 7 milionë shqiptarëve nuk ishte e duhur dhe as e nevojshme.
Për ta mos e lënë më kaq ai vazhdoi me deklaratat e tij që nuk i kanë hije një lideri politik.
Momenti i “shkëlqimit” të tij ishte kur u pyet nga Klan Kosova lidhur me sulmet që ndodhën para dy bizneseve sllovene, IPKO dhe NLB Bank.
Tha “këto sene ua lë juve, se jeni atje në vend”.
Vazhdoi duke mos dashur që të bëjë thirrje për qetësi ndërkohë që njerëzit të enjten ishin ngritur nëkëmbë dhe njerëz të partisë së tij refuzonin të pranonin çdo gjë sllovene mbi tokën e Kosovës.
Pa fije përgjegjësie që duhet të ketë lideri ai lëshoi deklaratën e tij më komike të javës.
“Nuk e kam këtë dert. Kush e ka këtë dert le ta ban”, tha Haradinaj.
Në fakt ai kishte obligim që të bënte thirrje për qetësi dhe kjo do të duhet të ishte derti i tij më i madh.
Ernest Luma, zëdhënësi i partisë së tij, ishte çuar publikisht duke thënë se ka gjuajtur kartelën e NLB-së (ndonëse me afat të skaduar), nuk do të pinte më Alpsko si dhe nuk do të përgjigjej në telefon nëse dikush e thirrë me numër të IPKO-s.
Dhe kur zëdhënësi i partisë bën thirrje për bojkot dhe njerëzit dalin në protestë para ambasadës sllovene më e pakta që mund të bëjë lideri i partisë është që të komentojë.
Megjithatë Haradinaj nuk e kishte këtë dert edhe pse rebelimi kundër Sllovenisë në Kosovë mund të çojë në prishjen e raporteve me këtë shtet që i dha përkrahje politike Haradinajt.
Karl Erjavec, ministër i Punëve të Jashtme në Slloveni, deklaroi se tashmë është vendosur që Haradinaj nuk ekstradohet në Serbi edhe nëse gjyqi në Kranj vendos për ekstradimin e tij.
Ky është një vendim politik i shtetit slloven i cili nuk mund të bëjë më shumë për Haradinajn. Nuk besoj që e ka ndërmend ta shpallë Qytetar Nderi të Kranjit si formë e kërkim faljes për ndalesën disa ditëshe. As nuk mund të pritësh nga një qeveritar slloven që të dalë e të shprehet kundër policisë dhe procedurave gjyqësore të vendit të tij.
Sllovenia e menaxhoi më mirë papërgjegjësinë e institucioneve të Kosovës që nuk kanë lobuar për fshirjen e fletë-arresteve të vitit 2004. I dha Kosovës e Haradinajt përkrahje politike.
Edhe gjykata ia bëri më të lehtë Haradinajt qëndrimin në Slloveni, derisa të qartësohet situata. Në raste tjera, secili i arrestuar në pritje të kërkesës për ekstradim, do t’i kalonte netët në qeli të paraburgimit.
Haradinaj do të duhej të ndihet i privilegjuar që po qëndron në hotel, dhe i është bërë e mundur kontakti me çdokënd që ia rreh telin.
E keqja është tek ne, jo në Slloveni.
Janë autoritetet shtetërore të Kosovës që nuk punuan për shtatë vjet prej kur na njohur Sllovenia për ta bindur atë se fletë-arrestet e vitit 2004 janë të pavlefshme.
E dyta është sjellja rebele duke kritikuar papërgjegjësinë e parë.
Është në frymën e lidershipit që të merret me njerëzit e tij që dalin në rrugë. Mospasja dert, siç po bën Haradinaj, mund të çojë në krijim të rrethanave të reja të papërgjegjshme.
Për të mos ardhur sërish në këtë pozitë ish-luftëtarët e UÇK-së duhet që autoritetet kosovare të punojnë më shumë.
Duhet të kërkohet llogari nga Ministri a Drejtësisë e udhëhequr nga Hajredin Kuçi e cila nuk po arrin të garantojë mbrojtje ligjore ndërkombtare për pjesëtarët e përndjekur të UÇK-së.
Para kësaj ministrie dhe asaj për Punë të Jashtme të udhëhequr nga Hashim Thaçi edhe është dashur të mbahet protesta e njerëzve të AAK-së që ende gjenden para ambasadës sllovene në Prishtinë.
Edhe Kuvendi i Kosovës përveç që vendosi se duhet dërguar note proteste në Slloveni duhet edhe të ngris komision hetimorë që auditon punëne zyrtarëve shtetëror të cilat kanë për obligim që të merren me fletë-arrestet e lëshuara në të kaluarën nga shteti serb./gazetajnk/