Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, i ka reaguar ministrit të Financave, Hekuran Murati, pasi ky i fundit i kërcënoi komunat me auditim.
Në një postim në Facebook, Lladrovci tha se i zbaton ligjet dhe rregullat me përpikmëri, derisa shtoi se “Zyra e Personelit para datës 15-të të çdo muaji paraprak dërgon të gjitha ndryshimet eventuale sa i përket listës së pagave, që lidhen me krijimin apo ndërprerjen e marrëdhënies së punës për ndonjë nëpunës”.
“Mirëpo, lidhur me dërgimin e listës së grevistëve Zyra e Personelit nuk mund të dërgojë ndryshime pa i pranuar të njëjtat nga sektorët vartës, sepse, është i njohur fakti se personat përgjegjës për dërgimin e listës së grevistëve janë edhe vetë në grevë”, ka shkruar ai.
Lladrovci tha se deklarata e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve është në kundërshtim me Ligjin për Auditorin e Përgjithshëm, “ngase përmes tendencës për ndërhyje në punën e një institucion të karakterit kushtetues jo vetëm lëndohet parimi i ndarjes së pushteteve por cenohet direkt ushtrimi i funksionit të Auditorit, i dhënë me Kushtetutë dhe ligjet në fuqi”.
Postimi i plotë:Sot, Ministri i Financave u deklarua lidhur me procesin e grevës të organizuar nga BSPK, ku theksoi se mos dërgimi i listave të pagave për pjesëmarrësit në grevë si arsye për mosekzekutimin e pagave.
Unë, si kryetar komune dhe zyrtari kryesor financiar, çdo ditë zbatoj me përpikëri ligjet dhe rregullat në fuqi, si dhe obligimet që dalin nga këto ligje. Zyra e Personelit para datës 15-të të çdo muaji paraprak dërgon të gjitha ndryshimet eventuale sa i përket listës së pagave, që lidhen me krijimin apo ndërprerjen e marrëdhënies së punës për ndonjë nëpunës.
Mirëpo, lidhur me dërgimin e listës së grevistëve Zyra e Personelit nuk mund të dërgojë ndryshime pa i pranuar të njëjtat nga sektorët vartës, sepse, është i njohur fakti se personat përgjegjës për dërgimin e listës së grevistëve janë edhe vetë në grevë.
Sa i përket auditimit, Komuna në baza vjetore auditohet nga Zyra Kombëtare e Auditimit dhe si i tillë, çdo auditim është i mirëseardhur.Deklarata e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve është në kundërshtim me Ligjin për Auditorin e Përgjithshëm, ngase përmes tendencës për ndërhyje në punën e një institucion të karakterit kushtetues jo vetëm lëndohet parimi i ndarjes së pushteteve por cenohet direkt ushtrimi i funksionit të Auditorit, i dhënë me Kushtetutë dhe ligjet në fuqi.
Mbi këtë bazë, Ligji nr. 05/L-055 për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës, respektivisht Neni 4, (paragrafi 1) thekson: “Auditori i Përgjithshëm është i pavarur nga ana funksionale, financiare dhe operative dhe nuk i nënshtrohet urdhrit ose ndikimit nga cilido institucion apo person tjetër”.
Zyra e Auditorit nuk mund të urdhërohet nga askush, as të bëhet instrument për frikësim!