Kandidati për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ramiz Kelmendi, ka premtuar se Partia Demokratike e Kosovës do t’i falë të gjitha borxhet fiskale që kanë bizneset ndaj shtetit, në rast se subjekti politik të cilit i takon mbërrin në pushtet.
Kelmendi, i ftuar në emisionin ‘Kosova Voton’, ka kritikuar politikat fiskale të deritanishme të përgatitura nga të gjitha partitë, përfshirë edhe ato të PDK-së.
“Politika fiskale, deri më sot nuk ka qenë fare në funksion të zhvillimit ekonomik. Të gjitha partitë politike nuk kanë arrite me hjekë doganën, as në kamion, as TVSH’në për kombi e taksi. Të gjitha borxhet fiskale duhet t’i falim në mënyrë që të mos i ngarkojmë bizneset”, ka thënë ai në T7.
Po ashtu, ai ka përmendur edhe tre miliardë euro depozit, në fushën e politikave bankare në kuadër të ekonomisë së vendit.
“Ne kemi edhe një drejtim financiar, që janë bankat. Ne kemi edhe 3 miliard euro depozit. Ne duhet të gjejmë rrugët legale, që të kyçim këto para. PDK ka fuqi për premtimin që e ka dhënë”, ka thënë ai.