Ramiz Kelmendi: Me 300 milionë euro kredi e shpëtojmë ekonominë

E publikuar: 29/07/2020 23:30
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, ish-zv/kryeministri dhe biznesmeni i njohur kosovar, Ramiz Kelmendi, ka ftuar Qeverinë e vendit që urgjentisht të shprehë masa administrative ligjore ndaj kategorisë qytetare të cilët nuk po respektojnë masat antiCovid.

Në një intervistë ekskluzive për ‘RADIO 1’, Kelmendi ka dhënë edhe propozim udhëzimet e daljes së vendit nga situata e rënduar shëndetësore dhe ekonomike.

Kelmendi thotë se huazimi nga fondi pensional, nuk ka ndonjë efekt cilësor, nëse krahas kësaj shteti nuk hynë në një kredi. Huazimi vetëm nga Fondi Pensional, sipas Kelmendi vetëm sa e thellon diferencën në mes të të varfrit dhe të pasurit.

“Shteti duhet të hyjë në kredi. Përveç huazimit nga Fondi pensional i cili e shton diferencën në mes të varfrit dhe të pasurit. Kjo për arsye se 10% e një të ardhure personale me 250 euro, apo 10 % i një page në institucione mbi 700 euro, sërish ka dallim. Prandaj ata që kanë mjete më të mëdha sot, do marrin më tepër se sa qytetarët që kanë mjete më pak e ju duhen më shumë. Prandaj kjo diferencë e krijuar pastaj do krijojë një dëm në stabilitetin ekonomik e politik. Pra këtu edhe qëndron problemi dhe për të eliminuar këtë problem këtë diferencë, jam i sigurt se rrugëdalja është që shteti të marrë kredi dhe me atë të bëjë ndarje proporcionale për kokë banori, 50 euro, 100 euro apo edhe më tepër. Krejt kjo do të nxiste edhe konsumin dhe do ngjallte ekonominë. Krejt kjo përfundon diku me një kredi –borxh me rreth 300 milionë euro, e që ju garantoj se për Qeverinë është kredi ose borxh minor. Shteti jonë është shteti me më së pakti borxhe në rajon dhe 300 milionëshi nuk rrezikon asgjë,” tha ai.

Kelmendi thotë se Qeveria e vendit në asnjë rrethanë nuk guxon të kontribuojë dhe ta lëshojë veten në veprime të cilat ndikojnë që qytetari të humbë besimin në vendimet e saj.