Ramiz Alija, pasardhësi i diktatorit Enver Hoxha, në intervistën e realizuar në vitin 2006, në emisionin “Rubikon”, kishte sqaruar se ish lideri komunist, Enver Hoxha ishte përgatitur që t’i dërgonte forcat shqiptare në territorin jugosllav, nëse pas demonstratave të vitit 1981, serbët do të bënin masakra mbi shqiptarët.
Në librin e botuar nga autori i emisionit “Rubikon”, Adriatik Kelmendi, “Rrëfime të përpjekjes”, pjesë e të cilit është edhe intervista me drejtuesin e fundit komunist në Shqipëri, Ramiz Alija, nënvizohet se Tirana zyrtare kishte një program të parashikuar në hollësi se si do të reagohej në rast se do të sulmoheshin shqiptarët e Kosovës.
Ai ka theksuar se Shqipëria do të mbronte territorin e saj, por edhe shqiptarët e Kosovës.
“Ajo do të mbronte kufijtë e vetë, në qoftë se serbët do të vinin në kufi, në qoftë se do të sulmonin shqiptarët. Por nëse këtu do bëhej masakër, parashikohej që ne të futeshim në territorin jugosllav aso kohe (në territorin e Kosovës) – që t’i vinim në ndihmë, në qoftë se Kosova do ngrinte krye. Në qoftë se do bëheshin masakrat, do hynim menjëherë. Kishte një program të parashikuar për çdo gjë”, ishte shprehur Alia.
Sipas tij, në vitin 1981, kur u bënë demonstratat në Prishtinë, Partia e Punës dhe Enver Hoxha u preokupuan shumë, sepse sipas tij, mund të ndodhnin gjëra të paparashikuara.
“Këtyre gjërave të paparashikuara ne duhet t’u përgjigjeshim sipas situatave që krijoheshin, në qoftë se Kosova do t’i nënshtrohej një gjenocidi nga ana e ushtrisë serbe. Shqipëria po merrte dhe mori masa, plane të përpunuara, se si duhej t’i vinte në ndihmë Kosovës”, kishte theksuar ish-presidenti i Shqipërisë. /Telegrafi/
Ramiz Alia në “Rrëfime të Përpjekjes”: Nëse në 81-shin do të kishte masakër në Kosovë, do të ndërhynte Shqipëria
NGA KATEGORIA