Njohësi i sigurisë, Burim Ramadani, deklaroi në Pressing në T7 se posedon informata të konfirmuara se KFOR ia lejoi kryeministrit Kurti që t’i dërgonte pjesëtarët e FSK-së nga regjimenti i xhenios në zonën e shpërthimit në kanalin e Ibër-Lepencit, por ai ka refuzuar sepse ky regjiment “nuk paraqet forcë”, sipas Ramadanit.
Tutje, ai në Pressing tha se regjimenti në fjalë është i specializuar, i përbërë nga inxhinierë e profesionistë që do të mund ta kryenin më mirë punën, por që intervenimin e bëri një kompani private.
“Për reagimin institucional, analiza ime është që reagimi ka qenë krejtësisht emocional, jo-institucional e jo i saktë. Së pari nuk ka pas plan emergjent në këtë situatë. Së dyti është e konfirmuar që kryeministri ka kërku dërgimin e Forcës së Sigurisë në veri të Kosovës nga KFORI (NATO), dhe rrjedhimisht, çka është tepër me rëndësi ta di publiku është që kryeministrit i është mundësuar ta dërgojë regjimentin e xhenios së FSK-së, pra ushtarët e Kosovës të cilët janë të specializuar për këso lloj situatash dhe ka refuzuar t’i dërgojë regjimentin e xhenios sepse ata nuk paraqesin forcë”, tha Ramadani në Pressing, transmeton Express.
“Ata janë të uniformuar por janë inxhinierë, profesionistë…”, shtoi Ramadani.
“Nuk ka pasur plan emergjent. KFOR ia ka mundësu regjimentin e xhenios i cili në situata të tilla është që vepron…”, u shpreh Ramadani.
“Këto janë informata të konfirmuara, por kërkesa e kryeministrit ka qenë të tregojë forcë”, tha Ramadani.
“Pyetja ime është a ka qenë interesim i Qeverisë me kry punë në veri me ushtarët e FSK-së, apo me tregu prezencë në veri, sepse punën pastaj është detyru ta kryejë me kompani private…”, pyeti Ramadani.
“Këtë punë shumë më mirë e kishte kry regjimenti i xhenios sepse janë të specializuar, janë një nga tri kapacitetet që FSK i ka me vulën e NATO-s”, shtoi ai.
Deklaratën e Ramadanit e gjeni në videon më poshtë, pas minutës 7-të.