Shteti serb vazhdimisht e ka provokuar Republikën e Kosovës përmes politikës së tyre me veprime të ndryshme, veprime këto që më pas edhe kanë zgjuar debate në Kuvend sikurse edhe janë nxjerr rezoluta për to.
E këto provokime të cilat edhe po ngrisin tensione mes dy shteteve, ka pak gjasa të ndalen. Zyrtarët serbë japin deklarata të ashpra, madje kërcënojnë edhe me futjen e ushtrisë së tyre në territorin e Kosovës. As nxitja e konflikteve nuk po përjashtohet.
Situata e tensionuar në veri të Kosovës është vazhdimësi e përkeqësimit të marrëdhënieve ndër-shtetërore në Ballkan dhe vazhdimësi e ndërhyrjeve direkte të Serbisë.
Kështu vlerëson për lajmi.net njohësi i çështjeve të sigurisë, Burim Ramadani. Sipas tij, skenarët e inteligjencës serbe dhe ruse mund të jenë të rënda dhe tepër sfiduese. Për këtë, siç vlerëson Ramadani, Kosova duhet të koordinojë partneritetin me SHBA-në në rend të parë.
“Destabilizimi i Kosovës është interes i Serbisë. Besoj se Serbia po nxit përkeqësimin e gjendjes në veri, në kuadër të luftës speciale që po zbaton kundër Kosovës, kundër Bosnje e Hercegovinës, Malit të Zi dhe Maqedonisë. Serbia po synon të përforcojë pozicionin e vet ndaj Kosovës, rajonit dhe BE-së, duke luajtur me lidhjen e vet speciale me Rusinë”, u shpreh Burim Ramadani.
Ai beson se institucionet e Kosovës duhet të bazohen në maturi dhe vendosmëri, duke i dhënë çdoherë përparësi vullnetit për fqinjësi të mirë dhe dialog të barabartë. Thotë se dialogu duhet të riformatohet edhe për nga përmbajtja, edhe për nga forma.
“Sidoqoftë, Kosova duhet të detajojë partneritetin me komunitetin ndërkombëtar dhe me theks special partneritetin me SHBA-në në përballje me këto sfida. Kosova besoj se duhet të koordinojë gjithçka me SHBA-në, në mënyrë që veprimet kosovare të jenë të suksesshme dhe të qëndrueshme”, bëri të ditur njohësi i këtyre rrethanave Burim Ramadani.
Serbia, hiq më larg se të shtunën nisi drejt Mitrovicës pa lejen e Kosovës, një tren i cili ishtu donacion i shtetit rus. Treni ishte ilustruar me motive provokuese ku ndër tjerash shkruante edhe “Kosova është Serbi”.
Qeveria e vendit mori vendim që përmes njësisë special ROSU-t ta pamundësojë hyrjen e trenit ilegal, që rezultoi në kthimin e këtij të fundit në Beograd.

















