Ramadani: Kurti po jep sinjale se është bërë “djalë i mirë” në dialog me Serbinë

E publikuar: 15/03/2026 13:47
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ish-inspektori i përgjithshëm i AKI-së, Burim Ramadani, ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit mes Kosovës dhe Serbisë, duke kritikuar kryeministrin Albin Kurti për, siç tha ai, koncesione ndaj Serbisë.

Ramadani përmes një postimi ka vlerësuar se Kurti po jep sinjale se është bërë “djalë i mirë” në procesin e dialogut me Serbinë.

“Kurti jep sinjale se u bë ‘djalë i mirë’ në dialog me Serbinë”, ka shkruar Ramadani.Ai ka theksuar se koncesioni për njohjen e dokumenteve të strukturave ilegale të Serbisë është i gabueshëm dhe i papranueshëm.

“Koncesioni për njohjen e dokumenteve të strukturave ilegale të Serbisë është edhe i gabueshëm, edhe i papranueshëm, edhe anti-kushtetues”, është shprehur ai.

Sipas Ramadanit, për këtë çështje nuk ka pasur vendim formal nga institucionet e Kosovës.

“Për më shumë, as nuk ka vendim Qeverie dhe as ndryshim ligji nga Parlamenti për këtë koncesion ndaj Serbisë”, ka thënë ai. Tutje ai ka shtuar se mungesa e një vendimi zyrtar mund të jetë bërë për t’iu shmangur shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese.

“Kurti – duke mos marrë vendim zyrtar, por vetëm urdhër goje – i shmanget kështu dërgimit të rastit në Gjykatë Kushtetuese, sepse kjo do të dilte qartë shkelje kushtetuese”, ka shkruar Ramadani.