Kosova nga e premtja nuk do të jetë më e njëjta. Kështu ka thënë për gazetën Nacionale ish-kryeinspektori i AKI-së, Burim Ramadani. Në këtë mënyrë, ai ka paralajmëruar ndryshimet e mëdha që do t`i sjellë vizita e shefit të CIA-s, William Berns.
Ish-kryeinspektori i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Burim Ramadani, ka bërë me dije se shefi i CIA-së, William Berns, me vizitën e tij në Kosovës, e ka varë populizmin e Qeverisë Kurti.
Kjo e fundit, ka thënë ai, do të ndryshojë në mënyrë drastike narrativen e saj për shumë çështje.
Ramadani ka vlerësuar se nga e premtja do të ndalen fyerjet e zyrtarëve të pushtetit ndaj ShBA-së dhe NATO-s.
Ai ka paralajmëruar se nëse ky populizem do të tentohet të rikthehet nga Qeveria, ideatorët e tij do të jenë në telashe të mëdha.
Sipas tij, narrativa populiste e Qeverisë Kurti, e cila është kultivuar prej vitesh, do të zhduket nga të gjitha fushat. Ai ka thënë se tashme do të dëgjohet vetëm fjalë të mira për aleatët.
Duke folur për mesazhet që shefi i CIA-s ka sjell në Kosovë, ai ka thënë se ato janë të qartë dhe do të respektohen në përpikëri.
Nacionale: Z. Ramadani, shefi i CIA-s, William Burns, vizitoi Kosovën, ku u takuar me krerët institucionalë. Çka do të thotë kjo vizitë për Kosovën?
Ramadani: Vizita e Burns ka dëshmuar rëndësinë që ShBA-ja i jep sigurisë rajonale në Ballkan, në kohën kur sfidat globale të sigurisë janë sikur të viteve të 1930-ta. Pra, kur bota po sfidohet keq nga diktatorët dhe autoritarët që po duan të ri-ndajnë dhunshëm zonat e influencës në glob.
Prandaj, edhe një vizitë e këtij niveli në shtetet e përshkuara me tensione të shumta (Kosovë, Serbi, Bosnjë e Hercegovinë) më së miri mund të spjegohet si dëshmi e këmbënguljes amerikane që luftërat në Ballkan nuk mund të rikthehen. Dhe, kush luan me zjarr do të digjet keq!
Kështu, Kosova si shtet dhe si shoqëri duhet të mendoj strategji të mirëfillta të zhvillimit të kapaciteteve të saj, konsolidimit të shtetit dhe luftimit të ndërhyrjeve armiqësore nga shtetet batakçinj, sikurse është Rusia, Serbia, Irani, Kina, apo organizatat ekstremiste të të gjitha rrymave.
Konkretisht, përballja me ndërhyrjen armiqësore ruse duhet të ri-dizajnohet, pas disa hapave mbrapa që kanë ndodhur gjatë kësaj periudhe.
Narrativi politik e institucional duhet të ndryshojë, të normalizohet gjuha e lidershipit të shtetit, të rikthehet bashkëpunimi me ShBA-të, të rivendoset komunikimi strategjik dhe publik i viteve të pavarësisë së Kosovës.
Pra, një gjuhë e kujdesshme, e saktë, jokonfrontuese, që dëshmon mirëbesim dhe përkushtim në partneritet me ShBA, si dhe që vlerëson arritjet e shtetit të Kosovës që nga pavarësia, përkatësisht që nga çlirimi.
Nacionale: Pse pikërisht tani ndodhi kjo vizitë?
Ramadani: Kosova është shtet ku trupat ushtarake amerikane jo vetëm që kanë prezencë të rëndësishme, por paraqesin garancën themelore edhe për ekzistencën tonë të paprekur, edhe për stabilitetin rajonal. Pra, prezenca e trupave amerikane në Kosovë ka dimension rajonal.
ShBA asnjëherë nuk ka treguar ndonjë lëkundje në mbështetjen e vlerave të demokracisë, lirisë, prosperitetit dhe ndarjes së barrës ndërkombëtare.
Dhe, duke u nisur nga kjo e fundit, barrë-ndarja ndërkombëtare për zhvillimet në rajone të ndryshme të botës bëhet edhe përmes luajtjes së rolit konstruktiv të shteteve aleate apo partnere, në rastet kur ato janë të vogla dhe nuk kanë fuqi të madhe vepruese.
Kështu, unë besoj se përgjegjësia e Kosovës dhe e shteteve tjera në Ballkan – gjatë periudhës së ardhshme -ndërlidhet me konstruktivitet, bashkëpunim, stabilitet dhe demokratizim.
Nacionale: Në njoftimet për media, Presidenca dhe Qeveria nuk kanë dhënë shumë detaje. Cilat mund të kenë qenë mesazhet e shefit të CIA-s për Osmanin dhe Kurti?
Ramadani: Në kohën kur mund të priten zhvillime të dhimbshme në Ukrainë, Lindje të Mesme, Azinë e largët, apo edhe në Amerikën Latine, liderët e Ballkanit e kanë vetëm një gjë të qartë (pas kësaj vizite!): nuk guxojnë të luajnë me zjarr!
Pra, “mos luani me zjarr”, “siguria nuk është popullizëm”, “mbështetuni plotësisht tek SHBA”, “kryeni detyrat e shtëpisë”, “me trupat tona ju mbrojmë ekzistencën” besoj unë janë fjali që kanë përbërë apo nënkuptuar mesazhin kryesor në Kosovë.
Bota vërtetë po përballet me përsëritjen e dimensioneve të ngjarjeve dhe lëvizjeve të viteve të 1930-ta, prandaj mesazhet e tilla duhet të kuptohen në thelb.
Nëse sot Putini është Hitleri i ri, Kina është njëlloj BRSS-je e keqe në ngritje, Irani është Perandoria e mbetjeve fashiste teokratike, Koreja Veriore është kombinimi i të gjitha logjikave të dhunshme, ndërsa shumë shtete në Afrikë tashmë janë rikthyer nën regjime të egra ushtarake, domosdoshmërisht që zona e Ballkanit Perëndimor nuk guxon të rikthehet as në Luftërat Ballkanike dhe as në Luftërat Gjenocidiale të Millosheviqit. Konstruktivët do të mbështeten e promovohen, tensionuesit do të izolohen e ndëshkohen.
Nacionale: Vizita u komentua shumë nga pozita dhe opozita. Kjo vizitë a mund të konsiderohet si sinjal brengosës i Uashingtonit për situatën në Kosovë, apo si konfirmim i mbështetjes amerikane për Kosovën?
Ramadani: Asgjë më pak sesa brengosje rreth veprimeve të disa liderëve në rajonin Ballkan që mendojnë se është në modë të rikthejnë gjuhën, retorikën dhe tensionimin nxitës për luftëra Ballkanike.
Për më keq, disa nga këta liderë rajonalë besojnë se “është koha që Rusia të rikthehet në luftërat ballkanike”, ndërsa disa të tjerë që mendojnë se “do të luftojnë deri në amerikanin e fundit!”.
Logjikat në Ballkan nuk janë zhvillimore, ndërsa qartë dhe pa dilemë pala armiqësore dhe hegjemone është Serbia!
Pra, nuk besoj se ka pasur brengë përbrenda Kosovës e cila nuk ndërlidhet me brengat rajonale të sigurisë.
Kështu, mund të kuptohet se vizita e Burns në Kosovë është konfirmim i mbështetjes amerikane për sigurinë e Kosovës dhe sigurinë rajonale, gjithsesi duke qartësuar ‘vijat e kuqe’ ndaj secilit e secilës!
Nacionale: Z. Burns erdhi në Kosovë pas vizitës në Bosnje dhe Serbia. A do të thotë se ShBA-ja na ka futur në një thes me këto dy vende problematike?
Ramadani: Asgjë në vizita të këtilla nuk bëhet pa simbolikën e mesazheve, përtej mesazheve që jepen në takime. Prandaj, përfshirja e një grupi shtetesh në një aktivitet të përbashkët të vizitave në rajon tregon mirëfilli se po bëhet fjalë për shtetet me situatë të sigurisë jostabile dhe të përkeqësuar.
Kosova, Serbia dhe Bosnja e Hercegovina assesi nuk janë në një thes për nga motivi dhe qëllimet, por janë të pa-stabilizuara për nga gjendja reale në terren dhe rruga e politikave që ndjekin (pavarësisht se të ndryshme në përmbajtje!).
Nacionale: Cili mund të jetë ndikimi i kësaj vizite? Mund të pritet ndonjë ndryshim i qëndrimit të Qeverisë Kurti në raport me veriun, për çka është kritikuar nga ShBA-ja?
Ramadani: Kosova nga e premtja nuk është më e njëjta – populizmi vdiq! Burns vrau populizmin. Nëse ky popullizëm do të tentojë të rikthehet, atëherë ideatorët dhe realizuesit do të jenë në telashe!
Pas vizitës së Burns, jo vetëm për veriun, por në për krejt fushat tjera do të largohet narrativi popullist. Nuk do të ketë më ‘tupanxhinj’ të pushtetit që fyejnë e konfrontohen me ShBA-në dhe NATO-n. Gishtat e vet do të mundohen t’i hanë prej pendimit!
Idiotët e Dobishëm nuk do të ndizen çdo ditë, sepse:
- Nuk do të dëgjoni më “Kosova u shkatërrua 20 vjet”!
- Nuk do të dëgjoni më “Amelika, Amelika”!
- Nuk do të dëgjoni më “kemi mospajtime me bashkësinë ndërkombëtare, por ne jemi shtet sovran”!
- Nuk do të dëgjoni më “me KFOR e pa KFOR, me NATO e pa NATO ne do të bëjmë kështu e ashtu…”!
Përkundrazi, do të dëgjoni e lexoni sa mençurisht Komunikimi Strategjik do të rikthehet aty ku ka qenë për gati 20 vjet:
- Kosova është storie e suksesit që nga çlirimi
- Partneriteti me SHBA është garanca e sigurisë sonë
- Kosova është e bekuar me partneritetin me SHBA
- Kosova është partner i pazëvendësueshëm i SHBA
- Partneriteti me SHBA është i shenjtë
- Kosova koordinohet ngusht dhe aktivisht me SHBA
- Kërkesat e SHBA janë miqësore
- Asnjëherë SHBA nuk na ka lënë vetëm
- Mbështetja e SHBA është ekzistenciale për sigurinë tonë
- Kosova është konstruktive, ne po i bëjmë detyrat tona të shtëpisë!
Lidershipi i shtetit nuk do të guxojë më të bëjë aventura taktike, pa strategji dhe pa bashkëplanifikim.
Ministri ‘amanetxhi për kufirin’ nuk do të kap më brushën e të inspektojë Urën e Ibrit, si dhe nuk do të shkelë më autonominë operacionale të Policisë! Po të mundnin, lidershipi i shtetit do t’i zhbënte disa vendime e veprime që ka bërë nëpër institicione dhe fushën e sigurisë, por pak vonë për këtë. Sidoqoftë, kanë edhe pak muaj kohë që të dëshmojnë se do të ndalin përkeqësimin dhe kapjen e institucioneve të sigurisë e të diplomacisë që është dukshëm e evidentueshme! Uroj që kështu të del – gjithsesi nëse kanë mësuar nga gabimet strategjike këta tanët!