Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik në Kosovë, Naser Ramadani, ka ftuar partitë politike t’i angazhojnë aktivistët e tyre në luftën kundër koronavirusit.
Ramadani në një konferencë për media ku të hënë së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj, shpalosën manualin për mbrojtje nga virusi, tha se duhet angazhim më i madh i të gjithëve, përfshirë edhe kryetarët e komunave dhe partitë politike.
“Kam një apel për kryetarët e komunave që të kenë kujdes, sepse e kanë përgjegjësi që prej këtij momenti të dalin në terren 24 orë deri në zvogëlimin e rasteve dhe të gjitha partitë politike t’i angazhojnë të gjithë aktivistët për të ulur numrin e të infektuarve”, tha Ramadani.
Ai tha se në dy javët e fundit, qëkur u lehtësuan masat, gjendja po përkeqësohet si pasojë e pakujdesisë së qytetarëve.
“Ne këto dy javë të lehtësimit ne kemi menduar që çdo qytetar do të jetë i pavarur në ndërmarrjen e pavarur të masave. Kjo nuk është arritur, qytetarët nuk u janë përmbajtur rekomandimeve dhe kemi pasur rritje të numrit dhe do të kemi këtë javë. Nëse nuk i përmbahemi këtij manuali do të kthehemi në pikën zero. Ne nuk do të lejojmë që të vdesin njerëz për shkak të pakujdesisë së njerëzve. Maskat janë obliguese në çdo vend”, tha Ramadani.
Ditëve të fundit, mesatarja e të infektuarve me koronavirus në Kosovë është 50 në ditë.
13:20
Ministria e Shëndetësisë prezanton manualin për mbrojtje nga virusi
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka prezantuar të hënën manualin për mbrojtje nga virusi. Sipas tij, dokumenti përmban udhëzime për veprimtari të ndryshme.
“Po e ndajmë me ju manualin për mbrojtje nga virusi. Është një dokument i cili do të përditësohet, varësisht nga situata dhe do të plotësohet bazuar në të dhënat e reja shkencore”, ka thënë Zemaj në një konferencë për shtyp.
“Ky është përgatitur në bazë të njohurive dhe duke shfrytëzuar njohuritë e organizatave. Do të parandalojë përhapjen e virusit kurse përmban udhëzime për udhëtime, gastronomi, vendvotimet, qendrat tregtare dhe veprimtaritë që po lirojmë”.
Ministria e Shëndetësisë do ta shpërndajë manualin në të gjitha institucionet qendrore e lokale.