Përfundoi seanca në rastin e Ramadan Mujës dhe pesë zyrtarëve komunalë të Prizrenit.
Gjykata e Apelit vendimin do t’ua japë palëve në formë të shkruar.
13:44
Në fjalën e tij para kolegjit të Apelit Ramadan Muja tha se është i bindur që kjo gjykatë do të vendosë drejt.
Ai mbështeti edhe fjalët e avokatëve të tij mbrojtës.
Edhe të akuzuarit tjerë përkrahën fjalët e avokatëve të tyre si në seancën e sotme, ashtu edhe në ankesën që ia drejtuan Apelit dhe i mohuan akuzat.
Tomë Gashi, avokati i Ramadan Mujës përmendi edhe interesimin media për seancën e sotme.
“Vetë prezenca e disa kamerave e edhe disa gazetarëve tregon se sa i rëndësishëm është ky rast, pasi këtu kemi një person politik,” tha Gashi.
13:05
Pas pauzës së drekës po vazhdon shqyrtimi i lëndës së Ramadan Mujës dhe të tjerëve në Gjykatën e Apelit.
11:45
Edhe Tomë Gashi, avokati tjetër i Ramadan Mujës flet fjalë të mira për të mbrojturin e tij.
“Ramadan Muja është njeri i mirë dhe nuk është kriminel. Ai duhet të shpërblehet, sepse gjithçka që ka bërë, ka bërë në interes të qytetarëve të komunës së Prizrenit,” thotë Gashi.
Gashi këtë e argumenton me fjalët se Muja sipas tij nuk është zgjedhur rastësisht tri herë kryetar i Prizrenit.
11:31
Ruzhdi Berisha, avokati i Ramadan Mujës thotë se i mbrojturi i tij nuk ka mundur të jetë kryes i veprës penale për të cilën akuzohet.
Në deklaratën e Prokurorisë e cila u lexua gjatë seancës së sotme në Gjykatën e Apelit, kërkohet që shkalla e dytë ta refuzojë kërkesën e mbrojtjes dhe “ta vërtetojë aktgjykimin e shkallës së parë” ndaj kryetarit të Prizrenit dhe bashkëpunëtorëve të tij.
Avokatët Kërkojnë Lirim ose Rigjykim të Ramadan Mujës
11:04
Ruzhdi Berisha, avokati i Ramadan Mujës, ka kërkuar nga trupi gjykues në Gjykatën e Apelit që “të prishet aktgjykimi i shkallës së parë për fajësinë e klientit të tij.
Në seancën e sotme, avokati Berisha kërkoi që klienti i tij Muja të lirohet nga akuza ose çështja të kthehet në rigjykim.
Të njëjtat kërkesa i patën edhe Sahit Bibaj, avokat i të akuzuarit Sadik Paçarizi; Rexhep Hasani, avokat i të akuzuarit të tretë Avni Ademaj; Brahim Sopa, avokat i të akuzuarit Kadri Ukimeri; Skender Morina, avokat i Ibrahim Tejecit si dhe mbrojtja e të akuzuarit Minir Krasniqi.
Fillon Gjykimi Ndaj Ramadan Mujës
10:33
Në Gjykatën e Apelit në Prishtinë ka filluar seanca gjyqësore ndaj kryetarit të komunës së Prizrenit Ramadan Muja dhe të tjerëve.
Që në fillim të seancës, Tomë Gashi, avokat mbrojtës i Mujës, pati një polemikë me kryetarin e trupit gjykues i cili gjyqtarët kosovarë i quajti “gjyqtarë vendorë”.
Avokati Gashi i sugjeroi gjykatës të EULEX-it që në vend të “vendorë” ta përdorë shprehjen “gjykatës të Republikës së Kosovës”.
Në këtë seancë po mungon prokurori i rastit.
Ramadan Muja, së bashku me pesë zyrtarë tjerë komunalë më 13 mars 2014 u gjetën fajtorë dhe u dënuan nga Gjykata Themelore e Prizrenit për veprat penale të keqpërdorimit të detyrës dhe autoritetit zyrtar.
Në rast se apeli e konfirmon vendimin e Gjykatës Themelore të apeluar nga të dënuarit, atëherë Prizreni do të duhej të shkonte në zgjedhje të jashtëzakonshme për kryetar të komunës.
Kryetari i Prizrenit Sot Para Gjykatës së Apelit
09:27
Në Gjykatën e Apelit filloi shqyrtimi i lëndës së Ramadan Mujës dhe pesë zyrtarëve komunalë të Prizrenit.
Kryetari i Komunës së Prizrenit Ramadan Muja, së bashku me pesë zyrtarë tjerë komunalë më 13 mars 2014 u gjetën fajtorë dhe u dënuan nga Gjykata Themelore e Prizrenit për veprat penale të keqpërdorimit të detyrës dhe autoritetit zyrtar.
Muja për katër pikat e aktakuzës u dënua me burgim prej dy vjetësh me kusht që ai të mos kryejë vepra tjera penale gjatë 3 vjetëve. Ai po ashtu mori edhe dënimin plotësues, ndalimin e ushtrimit të funksioneve publike në kohëzgjatje prej 30 muajsh.
Muja dhe të tjerët akuzoheshin se kishin bërë keqpërdorime me prona komunale dhe të menaxhuara nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.
Minir Krasniqi ish-drejtor i Administratës Publike u dënua me 1 vjet e 6 muaj burgim me kusht që për dy vjet të mos bëjë vepër tjetër penale.
Edhe Krasniqi nuk ka të drejtë të ushtrojë funksione publike për 18 muaj.
Kadri Ukimeri ish-drejtor i Gjeodezisë dhe Sadik Paçarizi ish-drejtor i Urbanizmit u dënuan me 8 muaj burgim me kusht që për 2 vjet të mos bëjnë vepër tjetër penale.
Avni Ademaj ish-drejtor i Gjeodezisë dhe Kadastrës u dënua me 5 muaj burgim me kusht që për 1 vit të mos shkaktojë vepra tjera penale.
Gjykimin e udhëhoqi kryetari i trupit gjykues nga radhët e EULEX-it, Vladimir Mikula.
Procedura ndaj kryetarit Muja dhe të tjerëve ishte nisur më 25 mars të vitit 2013, për të përfunduar në marsin e vitit 2014.
Mbrojtja e këtyre të dënuarve u ankua pas përfundimit të këtij procesi gjyqësor në Gjykatën e Apelit por lënda e Mujës dhe pesë zyrtarëve tjerë mbërriti në këtë gjykatë, katër muaj, pasi kryetari i Prizrenit u dënua nga gjykata e shkallës së parë.
Për mosshkuarjen e lëndës së Mujës në Apel shkroi KALLXO.com-i.
Një ditë pas këtij shkrimi lënda e Mujës dhe të tjerëve shkoi në Apel.