Kryeministri Edi Rama e vlerëson si ditë të shënuar për vendin tonë vizitën e kancelares gjermane, Angela Merkel në Tiranë
Rama i ka uruar në gjermanisht përmes rrjeteve sociale mirëseardhjen Merkelit.
“Ditë e shënuar për vendin tonë, vizita e parë dypalëshe e një kancelari të Gjermanisë në Shqipëri. Willkommen in Albanien Kanzlerin Merkel!”, shkruan Rama.
Kancelarja Merkel pritet të mbërrijë në aeroportin Nënë Tereza të mërkurën rreth orës 13:50, ndërsa shkallët e Kryeministrisë, ku do t’i rezervohet pritja shtetërore e nivelit më të lartë, është në orën 14:15, për të vijuar një takim kokë më kokë 15 minutësh me kryeministrin Edi Rama, e më pas për 45 minuta takimi mes dy delagacioneve që do t’ja lërë radhën konferencës së përbashkët për shtyp Rama-Merkel.
Në 16:15 parashikohet takimi i Merkel me Presidentin Bujar Nishani për t’ju drejtuar më pas konferencës së ekonomisë në “Tirana Business Park”, ku Merkel do të ketë një fjalë përshëndetëse, që shënon edhe fundin e vizitës.
Vizita e kancelares Merkel do të zhvillohet nën masa të forta sigurie. Policia e Shtetit ka njoftuar planin e masave, ku përfshihen ndalimi qarkullimit të mjeteve nga ora 10:30-14:30 në aksin rrugor Rinas në drejtim të Kasharit. Nga ora 13:30-14:30 segmenti rrugor nga Superstrada Vorë – Tiranë, duke filluar nga mbikalimi i Kasharit – mbikalimi i Kamzës dhe rrugët dytësore do të jenë të bllokuara.
Në vazhdim segmenti rrugor nga mbikalimi Kamëz – Sheshi “Shqiponja” – Rruga e “Durrësit”, segmenti rrugor Sheshi “Skëndërbej” – Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”- Sheshi “Nënë Tereza”, rrugët lidhëse me to, nuk do të lejohet parkimi i mjeteve, si edhe do të bllokohet në momente të caktuara.
/ Top Channel