Albin Kurti-Rama-Foto-Balkaninsight
Kryeministri i Shqipërisë porositi shqiptarët e Maqedonisë së Veriut që “ta mbrojnë republikën e tyre nga ndikime të jashtme”, duke iu referuar jo direkt pjesëmarrjes së Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet parlamentare atje. Edi Rama tha se këto ndikime “synojnë gjëra që s’kanë asnjë lidhje me stabilitetin dhe me mirëqenien”, dhe se mund t’i dëmtojnë shqiptarët. Ndërkohë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti s’ka hequr dorë. Këshilltari i tij dhe dy gra nga partia e tij do të garojnë për deputetë në zgjedhje atje me koalicionin e partive opozitare shqiptare.
Ali Ahmeti sot u shpall qytetar nderi i Tiranës. Në ceremoninë e mbajtur në kryeqytetin shqiptar, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama e përshkroi kryetarin e BDI-së, partisë më të madhe të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut si “një shqiptar ndër më të mirët”.
Rama tha nga Kuvendi se Ahmeti është “mjeshtri ynë më i madh në përdorimin e armës së diplomacisë për të afirmuar botërisht subjektivitetin tonë kombëtar”.
“Pa Ali Ahmetin shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk do të ishin sot në ditën e tyre më të mirë në historinë e atij shteti dhe as nuk do të kishin dot një pluralizëm demokratik, aq dinamik brenda perimetrit të jetës së partive shqiptare sa që t’i lejonin vetes edhe shpërfilljen e rrezikut të mbytjes ne lugun e ujit të sherrit për më shumë pushtet, duke nënvlerësuar mundësinë reale të dobësimit politik të faktorit shqiptar”, tha ai.
Rama tha se nuk dëshiron ta shtjellojë mëtej këtë mendim, ndërsa tha se nuk ka asnjë qëllim të ndikojë në vendimmarrjen e zgjedhësve të Maqedonisë së Veriut. Ai porositi shqiptarët që “ta mbrojnë republikën e tyre si shqiptarë nga ndikime të jashtme, të cilat synojnë gjëra që s’kanë asnjë lidhje me stabilitetin dhe me mirëqenien e shtetit fqinj”.
“Ky mund të jetë rasti, por nuk është momenti që unë ta shtjelloj më tutje këtë që sapo thashë, sepse nuk dua në asnjë mënyrë që një shprehje e plotë e opinionit tim sot të lexohet si ndërhyrje në fushatën zgjedhore të vendit fqinj ku ne nuk kemi asnjë qëllim të ndikojmë në vendimmarrjen e zgjedhësve të atij vendi, qofte edhe të shqiptarëve, të cilëve u them vetëm të shohin interesin e Republikës së Maqedonisë së Veriut që sot është më shumë se kurrë ndonjëherë edhe e tyrja, krahpërprah me bashkëqytetarët e tyre maqedonas dhe të gjitha minoritetet që jetojnë në atë republikë, dhe ta mbrojnë republikën e tyre si shqiptarë nga ndikime të jashtme, të cilat synojnë gjëra që s’kanë asnjë lidhje me stabilitetin dhe me mirëqenien e shtetit fqinj, e që në asnjë rast nuk mund t’u sillen shqiptarëve asgjë më të mirë sesa atë që ata e kanë arritur, por përkundrazi, mund t’u shkaktojnë atyre dëme mbi ato që janë arritur”, tha Rama.
Ai tha se Ahmetit mund t’i bëhen “kritika plot brenda vendit”, por përmendi se ai “nuk është ulur kurrë në një karrige zyreje, përveç atij kolltuku të vjetër të partisë së tij”. Për kryetarin e BDI-së, Rama tha se “historia do ta thotë me zë edhe më të fortë sesa kushdo sot dhe që është se: atë që ka bërë Ali Ahmeti me pushtetin për përparimin e të drejtave të shqiptarëve në shtetin fqinj, për afirmimin e tyre si qytetarë të barabartë të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe për ngritjen lart të shqiptarëve në sytë e krejt botës, të gjithë ne të tjerët nuk mund ta diskutojmë, vetëm duhet ta pranojmë dhe nëse jemi të mençur ta marrim si mësim, nga një shqiptar ndër më të mirët”.
Në mbyllje të fjalës së tij ku u shpreh i lumtur që “Tiranës i shtohet një qytetar nderi i përmasave të Ali Ahmetit”, Rama zgjodhi ta citojë një “politikan dhe udhëheqësi të madh”: “Djemtë e duan pushtetin për t’u njohur nga të tjerët, kurse burrat për të bërë për të tjerët”.
Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, është angazhuar në garën për të marrë pak pushtet edhe në Maqedoninë e Veriut.
Në koalicionin e partive opozitare shqiptare në shtetin fqinj, LVV merr pjesë me tre kandidatë për deputetë në zgjedhjet parlamentare që mbahen më 8 maj, ndër të cilët edhe Bekim Qoku, këshilltari i kryeministrit të Kosovës.
Qeveria e Kosovës ishte angazhuar në fushatën për zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut për ta ndihmuar kandidatin Arben Taravarin dhe koalicionin VLEN.
Përtej kësaj, ishte planifikuar që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të merrte pjesë personalisht në tubimet e koalicionit VLEN në Cyrih dhe Berlin para rundit të parë të zgjedhjeve presidenciale. Por s’shkoi me arsyetimin se “obligimet dhe detyrat e shumta në Kosovë”, dhe “kërcënimet e vazhdueshme nga fqinji verior” ia pamundësuan pjesëmarrjen. Në vend të tij atje e çoi ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Përmes një video-mesazhi, porosiste që në zgjedhjet presidenciale të votohet masivisht, ndërsa shprehej se “Republika jonë, por edhe rajoni i Ballkanit Perëndimor në përgjithësi, ka nevojë për një faktor politik në Republikën e Maqedonisë së Veriut, i cili në këto kohëra të ballafaqimit të përditshëm e sistematik me Serbinë agresore, do të jetë krah i fortë i Kosovës, në mbështetje të paqes e sigurisë, mirëqenies e demokracisë”.
“Ju përshëndes të gjithëve e në veçanti mikun tim e presidentin tuaj Dr. Arben Taravarin që e kam shok ngahera dhe i besoj si për nga orientimi ashtu edhe për nga karakteri. Energjia e re është e mirëseardhur në skenën politike shqiptare për shumë arsye. Ajo gjithsesi ia vlen, sidomos në situatat që po i përjetojmë e jetojmë tani. Suksese të mërkurën e zgjedhjeve dhe në çdo ditë pune e pushimi”, thoshte Kurti.
Më herët, ai mohonte se po përzihej në garën zgjedhore në Maqedoninë e Veriut dhe nga Shkupi kishte thënë se LVV nuk garon e se shqiptarët duhej të vendosnin vetë për çështjen e presidentit, por më pas i kishte sjellë në Prishtinë përfaqësuesit e VLEN-it me të cilët ishin pajtuar se presidenti i radhës në Shkup duhet të jetë shqiptar.
“Katër udhëheqësit shprehën propozimin e tyre për një president të Maqedonisë së Veriut i cili mishëron bashkëjetesën mes etnive dhe garanton rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut, president i cili kësaj radhe duhet të vijë nga mesi i shqiptarëve”, thuhej në komunikatën e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit më 30 janar.
Taravari ka pranuar para pak javësh se Kurti e ka inkurajuar që të garojë për president të Maqedonisë së Veriut.
Për koalicionin jo shumë zyrtar të LVV-së me partitë opozitare shqiptare në Maqedoninë e Veriut bënte të ditur për herë të parë kryetari i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti në fund të vitit të kaluar. Ky njoftim kishte ardhur disa muaj pasi këtë mbështetje kryeministri i Kosovës ua kishte ofruar atyre edhe fizikisht gjatë një vizite shumë të diskutueshme në RMV në verë të vitit 2023.