Ndërsa dje në mbrëmje krerët më të lartë të shtetit dhe institucioneve të sigurisë u thirrën nga Presidenti Bujar Nishani në takimin e Këshillit të Sigurisë kombëtare, për të diskutuar rreth situatës dhe masave të marra ndaj kërcënimeve terroriste pas atentateve në Paris, sot kryeministri Edi Rama tha se nuk ka vend për frikë apo panik.
“S’ka vend për të ndryshuar asgjë në rendin e ditës sonë. Shqipëria nuk është as më shumë dhe as më pak e kërcënuar sesa vendet e tjera. Jeta vazhdon dhe secili prej nesh duhet ta jetojë atë përditë pa rënë pre e pasigurisë që duan ta kallin në zemrat dhe në mendjet tona ushtarët e shkretëtirës pa zot. Në Shqipëri është marrë çdo masë e mundshme edhe pse askush, askund në botën, të cilës i përkasim nuk mund të jetë jashtë rrezikut. Jeta duhet të vazhdojë normalisht. Sepse s’ka absolutisht asnjë arsye të veçantë, asnjë fakt apo informacion të caktuar që ne në Shqipëri të ndjehemi më të kërcënuar sesa të gjithë të tjerët”, theksoi kryeministri.
Rama i bëri këto komente pas takimit që ai pati me presidentin e Këshillit europian Donald Tusk, i cili nga ana e tij theksoi se “askush nuk është vetëm sot”, duke shtuar se “është detyrë politike e jona për të qenë bashkërisht kundër kësaj sfide dramatike, që është edhe sfida në e madhe e kohëve tona”. Por në Tiranë, presidenti Tusk ishte më së shumti për të diskutuar rreth një tjetër krize, atë të refugjatëve, fluksi i të cilëve drejt Evropës, kalon përmes Ballkanit perëndimor. Kjo është arsyeja që ai ka ndërmarrë një tur në rajon, ku ndalesa e parë ishte mbrëmë në Beograd.
“Vendet e Ballkanit Perëndimor janë në pararojë si rrugë kryesore tranziti drejt Evropës. BE duhet që tu ndihmojë për të menaxhuar flukset ashtu si po bëjmë, dhe ashtu siç po ndihmojmë dhe vende të tjera për të trajtuar shkaqet që në gjenezë”, tha ai.
Shqipëria nuk ka qenë deri më tani pjesë e korridorit të kalimit të refugjatëve, por nuk përjashtohet që dhe ajo të përfshihet gjatë dimrit. “Megjithatë preket apo nuk preket, qëndrimi i Shqipërisë ka qenë dhe është i qartë. Ne nuk jemi evropianë, vetëm për ditë të mira. Ne jemi evropianë edhe në ditë të këqija. Ndryshe nga shumë evropianë që harrojnë që janë evropianë kur përballen në ditë të këqija me fenomene, si fenomeni i krizës së refugjatëve, ne jemi të vendosur që të jemi pjesë e çdo projekti dhe plani evropian, për të kontribuar sadopak modestisht në zbutjen e efekteve të kësaj krize, nga ana humanitare dhe nga ana politike për BE”, deklaroi Rama.
Kriza e refugjatëve ka nxitur dhe diskutimet lidhur me lëvizjen e lirë të vendeve të Ballkanit drejt zonës Schengen, për shkak të kërkesave për azil dhe nga vetë qytetarët e rajonit. Presidenti Tusk tha se ky regjim duhet të ruhet “çfarë do të thotë, që ne duhet të kontrollojmë në mënyrë efektive kufijtë e jashtëm. Ne duhet që këtë gjë ta bëjmë bashkërisht, në bashkëpunim dhe koordinim, për të siguruar që procesi është i organizuar dhe i menaxhuar siç duhet”.
Në takimin e sotëm mes kryeministrit Rama dhe presidentit të Këshillit europian Tusk, u diskutua dhe për procesin e integrimit të Shqipërisë, ku të dy i mëshuan rëndësisë së realizimit të reformës në Drejtësi.