Rama: Shqiptarë terroristë?! Jemi shumë të dashuruar me jetën që të duam vdekjen

E publikuar: 25/03/2016 00:08
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shqipëria nuk ka ndonjë rrezik konkret, por asgjë nuk e përjashton nga mundësia për të qenë e sulmuar nga terrorizmi, përsa kohë ne nuk jemi më të mbrojtur se vendet e tjera.
Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama në një intervistë për Mustafa Nanon në Tema TV.

“Ne nuk jemi më të mbrojtur se të tjerët, por as më vurnerabël se të tjerët. Nuk ka shkaqe për të thënë se ne jemi përpara ndonjë rreziku të veçantë. Por nuk ka mundësi që të thuash se është e përjashtuar”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se gjatë vitit 2015 nuk ka pasur asnjë shqiptar që ka shkuar për xhihad dhe shumica e tyre që kanë shkuar në Siri janë kthyer të penduar. Duke folur për radikalizmin shqiptar, Rama e konsideroi si “radikalizëm mercenar”. Ndërsa terroristët që hedhin veten në erë i konsideroi si “robotë të programuar për të kryer atë akt”.

Pyetjes nëse mund të ketë kamikazë edhe në radhët e shqiptarëve, Rama u përgjigj: “Nuk besoj se gjindja jonë mund të nxjerrë një kamikaz. Jemi shumë të dashuruar me jetën reale ne, për të qenë njerëz që jetojmë për të vdekur.”