Kryeministri shqiptar, Edi Rama, sot ka zhvilluar takim me familjarë të heroit tonë kombëtar, Isa Boletini.
Në një prononcim për mediat pas takimit, Rama, përveç se ka falenderuar ministrin e Jashtëm të Kosovës, Hashim Thaçi dhe familjarët e heroit, ka bërë të ditur detajet e ceremonisë së varrimit të eshtrave të tij.
“Data e caktuar për ritualin kombëtar për të përcjellë eshtrat e heroit tonë mbetet 10 qershori. Rrugëtimi i eshtrave do të kryhet përmes gjithë trojeve të Kosovës dhe Shqipërisë. Ceremonia do të përmbyllet në Sheshin e Pavarësisë në Vlorë dhe Isa Boletini do të prehet pranë mikut dhe vëllait të tij, Ismail Qemali”, ka thënë Rama.
Ndryshe nga Rama, kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri e ka kundërshtuar këtë vendim dhe se do ta mbledh Asamblenë Komunale të Mitrovicës për të diskutuar rreth këtij vendimi./Indeksonline/