Rama reagon pasi një tjetër qytetare u sulmua nga qentë: Problemi nuk mund të zgjidhet vetëm nga Komuna e Prishtinës

E publikuar: 11/04/2022 16:55
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Perparim Rama

Perparim Rama

Pre e një sulmi të qenve endacak, ka qenë sot një tjetër grua në rrugën “C” në kryeqytet. Përparim Rama ka premtuar ndërtimin e një strehimoreje për qenë, por thotë se kjo nuk mjafton.

Për rastet e shtuara të sulmeve nga qentë endacak të qytetarëve në Prishtinë ka reaguar edhe kryetari Përparim Rama.

“Me shqetësim pashë sot pamjet, ku një qytetare e Prishtinës sulmohet nga qentë endacakë! Ne jemi të vetëdijshëm për problemin shumë kompleks që kemi para vetes dhe në këtë drejtim kemi ndërmarrë disa veprime, si trajtimi i qenve endacakë përmes procesit KSVL (Kap, Sterilizo, Vaksino, Lësho) dhe hapjes së 18 pikave të reja ushqyese”.

I pari i Prishtinës edhe njëherë ka premtuar ndërtimin e një strehimoreje për qenë, por sipas tij as kjo mund të mos mjaftojë për eliminimin e problemit.

“Gjithashtu, po punojmë dhe kemi filluar procedurat për ndërtimin e strehimores për qentë. Por, kjo nuk mjafton për të eliminuar në tërësi këtë​ problem”.

Ai ka kërkuar bashkëpunim të gjerë për problemin në fjalë, duke përfshirë Qeverinë dhe komunat tjera.

“Ky problem kompleks nuk mund të zgjidhet vetëm nga Komuna e Prishtinës, andaj kërkojmë bashkëpunim dhe bashkërendim të veprimeve edhe me Qeverinë e Kosovës dhe Komunat e tjera”, deklaroi tutje Rama.