Rama publikon faturën e plotë dhe i kërkon shefit të Asamblistëve të VV-së të mos keqinformojë

E publikuar: 10/05/2024 12:23
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Prishtinës, Perparim Rama, ka reaguar lidhur me një faturë për Shërbimin e Arkitektit të Kryeqytetit në vlerë prej 1 milionë e 48 mijë e 950 euro që ka qarkulluar nëpër rrjete sociale e që është paguar nga Komuna e Prishtinës.

Rama thotë se kjo faturë në mënyrë të qëllimshme është vënë në qarkullim në rrjete sociale nga shefi i asamblistëve të VV-së në kryeqytet e pa kompletuar dhe pa faturat mbështetëse në të cilat Rama thotë se argumentohet secili cent i shpenzuar.

Kreu i Prishtinës e ka publikuar të njëjtën faturë të plotë dhe e ka lutur shefin e Asamblistëve të VV-së që të mos keqinformojë.

Reagimi i plotë:

Demaskim i krijimit të opinionit të rrejshëm dhe dinakërisë politike

Të dashur qytetarë,

Dje, në rrjete sociale dhe në medie të caktuara, ka qarkulluar një faturë e Shërbimit të Arkitektit të Kryeqytetit në vlerë prej 1,048,950.00 e paguar nga institucioni i Kryeqytetit. Kjo faturë e përgjithësuar është plasuar në publik e pakompletuar, pra pa faturat mbështetëse, nga Shefi i Grupit të Asambleistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kryeqytet.

Dëshirojmë të sqarojmë për opinionin publik se ajo faturë e përgjithësuar i ka edhe katër fatura mbështetëse ku është detajizuar secili cent i shpenzuar për shërbimet e ofruara sipas kontratës së nënshkruar me Shërbimin e Arkitektit të Kryeqytetit. Të gjitha këto fatura i ka pasur në dispozicion Shefi i Grupit të Asambleistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, por ai qëllimisht nuk i ka postuar për të krijuar opinion të rrejshëm të keqmenaxhimit të parasë publike dhe për t’a shndërruar një shërbim profesional në temë për përfitime politike në mënyrë dinake.

Për qëllime të transparencës së plotë, po e bashkangjesim faturën e përgjithësuar bashkë me faturat mbështetëse.

E lusim publikisht Shefin e Grupit të Asambleistëve të Lëvizjes Vetëvendosje që të mos keqinformojë publikun dhe të mos ndërtojë opinion të rrejshëm për qëllime politike.

Në fund, e informojmë publikun se Shefi i Grupit të Asambleistëve të Lëvizjes Vetëvendosje ka bërë kërkesë për qasje në dokumente zyrtare me datën 02 maj 2024. Organet e Kryeqytetit i janë përgjigjur pozitivisht kërkesës me datën 08 maj 2024, brenda afatit ligjor të paraparë, dhe i kanë dërguar të gjithë dokumentacionin e kërkuar.