Ramush Haradinaj, kryeministri i Kosovës, është pritur me nderime të larta në Tiranë në vizitën e parë zyrtare në cilësinë e kryeministrit.
Haradinaj është pritur nga kryeministri shqiptar Edi Rama. Rama dhe Haradinaj parakaluan para Gardës Ceremoniale pas intonimit të të dy himneve, atij kombëtar dhe atij të Kosovës.
Në agjendën e Haradinajt është parashikuar takimi me Ramën, në “Pallatin e Brigadave”, ku do të bëhet edhe takimi përurues i Komisionit për organizimin e Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, nën kryesinë e dy kryeministrave.
Po ashtu, kreu i Qeverisë së Kosovës pritet të zhvillojë takime edhe me presidentin Ilir Meta, kreun e Kuvendit, Gramoz Ruçi dhe me kreun e opozitës, Lulzim Basha.



















