Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se mbajtja e samitit në Tiranë, është e jashtëzakonshme.
Para gazetarëve, kreu i Qeverisë shqiptare, ndër të tjera foli edhe për çështjen mes Kosovës dhe Serbisë, dhe tha se nuk mund të zgjidhet sot, meqë është e vështirë.
“Për ne kjo është e jashtëzakonshme, është diçka që edhe ai me imagjinatën më guximtare nuk do të parafytyronte që do të ndodhë dhe po ndodh. Mendoj që është një sinjal mjaft i fortë i vetëdijes i BE-së se BE ka nevojë për Ballkanin Perëndimor, për aq sa Ballkani Perëndimor ka nevojë për BE-në dhe kjo është shumë e rëndësishme. Dhe, deri dje kishim një mot si në Bashkimin Evropian, por nuk mund të ju mirëprisnim me atë mot dhe sollëm diellin për ju, shpresojmë që ta vlerësoni këtë”, tha Rama.
Rama tutje tha se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë nuk mund të zgjidhet në samitin e sotëm.
“Unë do të dëshiroja që të ishte kështu, sepse do të doja që BE të kishte këtë lloj magjie, por nuk është kështu. Është e vështirë, do të kërkojë kohën e vet, por më duhet të ju them që Ballkani Perëndimor nuk ka qenë kurrë më mirë në historinë e vet dhe shqiptarët veçanërisht qoftë në Shqipëri, Kosovë apo kudo tjetër nuk kanë qenë kurrë më mirë në historinë e tyre”, u shpreh Rama.
Më tej, kryeministri Rama ka thënë se në këtë samit është ndryshe, në krahasim me Brukselin.
“Ka një ndryshim shumë të madh sepse këtu është rock&roll, në Bruksel është vetëm simfoni. Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor janë rock&roll, është shumë pak më e mërzitshme sesa Brukseli, i patë, të gjithë ishin shumë të lumtur”, tha ai.